Ban Ki Moon: Zbatimi i marrëveshjes në veri mbetet sfida kryesore

Në raportin e tij më të fundit mbi zhvillimet tremujore në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB Ban Ki Moon vlerëson hapat pozitivë të ndërmarrë nga Prishtina dhe Beogradi që çuan ‘në marrëveshjet historike dhe në një progres drejt normalizimit të marrëdhënieve.Në raport, vlerësohet “angazhimi serioz dhe i palëkundur i udhëheqsve” politikë në Prishtinë dhe Beograd.“Zbatimi i marrëveshjeve midis Beogradit dhe Prishtinës në veri të Kosovës mbetet një sfidë kryesore,” shkruan Sekretari Ban Ki Moon ndërsa shton se ‘në këtë drejtim angazhimi i Beogradit me serbët e Kosovës mbetet i rëndësishëm’.Ai thekson se këto përpjekje ‘duhet të plotësohet me shtrirje të dorës nga ana Prishtinës duke i ofruar siguri popullsisë lokale.’ Në mënyrë që të shmangen tensionet dhe arrihet sukses, Ban Ki Moon thekson se është e rëndësishme që edhe serbët lokalë të Kosovës ta shohin veten si palë e interesuar në proces.“Trashëgimitë e pazgjidhura të konfliktit, përfshirë edhe rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur si dhe nxjerrja para drejtësisë e të gjithë atyre që janë përgjegjës për krime lufte dhe vepra të tjera penale, duhet të mbeten prioritete kyçe,’ thuhet në raportin mbi Kosovën të Sekretarin Ban ki Moon që përfshin një peridhë të zhvillimeve prej 23 prillit deri më 15 korrik.Raporti do të shqyrtohet në një seancë të veçantë të Këshillit të Sigurimit më 29 gusht nën kryesimin e Argjentinës, takim ku pritet të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç.