Kosovë, Zbogar i rikujton Kuvendit mandatin e EULEX-it
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka reaguar pas nxjerrjes së rezolutës nga Kuvendi i Kosovës në lidhje me mandatin e EULEX-it. Përmes një deklarate zhbogar ka paralajmëruar institucionet e Kosovës për raportet që ka vendi me Bashkimin Evropian."Shtetet anëtare të BE-së i janë përgjigjur kërkesës së Kosovës për asistencë dhe janë pajtuar që të ofrojnë një mision të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, për të ndihmuar ndërtimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, për të mbështetur një demokraci funksionale dhe për t'i ndihmuar Kosovës në proceset e saj evropiane.Me partneritet së bashku ne kemi shtruar një rrugë të gjatë", theksohet në deklaratën Zbogarit.Për përfaqësuesin special të BE në Kosovë EULEX ka një mandat nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa ka rikujtuar edhe marrëveshjen me BE-në.Një ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë në lidhje me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, rolin e EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudhën e tranzicionit.Rezoluta nxjerr disa rekomandime, sipas të cilave Qeveria e Kosovës autorizohet të përgatisë planin e vet tranzicional deri më 1 shtator për t'i marrë përgjegjësitë nga misioni i EULEX-it, nga qershori i vitit 2014, kur këtij misioni, sipas vendimeve të fundit të BE-së, i skadon mandati.Ndonëse Bashkimi Evropian e ka lënë të hapur mundësinë që misionit të EULEX-it t'i vazhdohet mandati edhe pas vitit 2014, Rezoluta e Kuvendit parasheh fundin e mandatit të tij pas pakënaqësive të shumta me rolin që ky mision po luan në trajtimin, hetimin dhe gjykimin e rasteve të cilësuara si krime lufte.Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë me ftesë të institucioneve të Kosovës, të cilat janë pajtuar që këtij misioni t'i japin kompetenca ekzekutive edhe pas fazës së përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Në bazë të vendimeve të BE-së, EULEX-i ka mandat në Kosovë deri në mesin e qershorit të vitit 2014, por me mundësi vazhdimi.