Nishani:Qeveria e re e përkushtuar në luftën ndaj korrupsionit e krimit

“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e stadardeve evropiane”.Kështu është shprehur Presidenti Bujar Nishani gjatë fjalimit të mbajtur në takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-s, që po mbahet në Slloveni duke shprehur edhe  angazhimin serioz të mazhorancës së re qeverisëse  në këtë drejtim.“Kam bindjen se ajo do të realizojë me sukses programin e saj ambicioz. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më prioritar strategjik, integrimin evropian” tha Nishani.Gjithashtu, Nishani u shpreh se politika e jashtme e Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal."Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit. Interesave kombëtare të Shqipërisë u shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar. Ne kemi inkurajuar shqiptarët në rajon që të veprojnë në mënyrë institucionale dhe të mbështesin reformat për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, si edhe procesin e integrimit evroatlantik të vendeve ku ata jetojnë. Natyrisht, do të jemi gjithmonë për respektimin e të drejtave të tyre sipas standardeve më të përparuara evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo politikë, e formësuar dhe zbatuar pa ekuivoke prej më shumë se dy dekada, do të mbetet një konstante, në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal” theksoi Nishani.Gjithashtu Presidenti Nishani ka rikujtuar se më 16-17 shtator do të zhvillohet në Durrës, Samiti i pestë Rajonal Vjetor i radhës.“Gjatë këtyre takimeve të përvitshme, ne kemi rikonfirmuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, miqësisë e bashkëpunimit midis vendeve tona, si edhe jemi angazhuar të kontribuojmë në nxitjen e mëtejshme të kësaj fryme, si në dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe në çështje të interesave të përbashkëta rajonale dhe në bashkëpunimin në kuadër të integrimit evropian të vendeve tona. Ne besojmë dhe, me gjithë zemër urojmë që këtë vit të kemi mes nesh edhe presidentët e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës” tha Nishani.Kreu i shtetit Nishani më tej u shpreh se  rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ndërruar faqen e historisë, duke u shndërruar nga burim kokëçarjesh në rajonin e mundësive të shumta.“Ai mbart potenciale turistike, kulturore dhe historike, burime të shumta natyrore dhe ndodhet në një pozicion të favorshëm gjeografik.  Tashmë dialogu është gjuha e komunikimit, ku bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë risia më e këndshme dhe meritojnë mbështetje të veçantë. Por, ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal konkretizohet, përtej deklaratave verbale, nëpërmjet projekteve konkrete për krijimin e një infrastrukture të përbashkët moderne rajonale, bashkëpunim në fushën e turizmit, transport, mbrojtjen e ambientit, heqjes së gjithë barrierave jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit. Angazhimi ynë i përbashkët do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota” tha ai.