Zgjedhjet në Kosovë, asnjë parti nuk është regjistruar

Asnjë subjekt politik, iniciativë qytetare apo kandidat i pavarur nga veriu i Kosovës deri më tani nuk ka aplikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t'u regjistruar dhe për t'u certifikuar në mënyrë që të mund të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti.Tani kur ka mbetur vetëm edhe një muaj, deri në afatin e fundit ligjor për të aplikuar, në KQZ thonë se Ligji për zgjedhje do të jetë i zbatueshëm edhe për atë pjesë të vendit dhe se askush nuk do të mund të marrë pjesë në zgjedhje pa e përfillur atë.Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë  thonë se nuk do të lejohet pjesëmarrja në zgjedhje e asnjë subjekti politik pa aplikuar për regjistrim dhe certifikim në zyrën për regjistrimin e partive politike në afatin e paraparë me ligj.Për t'u regjistruar si parti politike në KQZ duhet që të bëhet regjistrimi sipas ligjit, dhe kandidati duhet 500 nënshkrime të anëtarëve të saj, të ketë statusin dhe një mori kriteresh të tjera, ndërsa për certifikim të ndonjë iniciative qytetare duhen 100 nënshkrime dhe pagesa e një shumë prej 200 eurove.Zgjedhjet lokale në terë territorin e Kosovës do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti, datë kjo e shpallur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.