Të sëmurët mendorë në Korçë, vera ndikon negativisht në shëndetin mendor

Në Qarkun e Korçës janë të evidentuar dhe të kartelizuar mbi 850 të sëmurë mendorë.Roland Lalaj, psikiatër në qendrën komunitare të shëndetit mendor, shprehet se rritja e temperaturave ndikon negativisht në shëndetin e tyre, ku në shumën e rasteve kjo kategori personash bëhen tepër agresivë. Ata nënvizojnë se të sëmurët skizofrenë, në këtë stinë u rëndohet  sëmundja ndaj dhe kujdesi ndaj tyre kërkon më shumë vëmendje e cila duhet të jetë e kontrolluar dhe me mjaft delikatesë për të evituar problemet e drejtëpërdrejta dhe të papërmbajtura nga ana e të sëmurëve.E kundërta ndodh me të sëmurët depresivë, tek të cilët zgjatja e ditës dhe ngrohtësia e diellit  ndikojnë pozitivisht në gjendjen e tyre shëndetësore. Nisur nga kushtet specifike që ndikojnë tek këta të sëmurë, 13 punonjësit e kësaj qendre kuruese:  mjekë, infermierë dhe punonjës socialë, më tepër se gjatë stinëve të tjera, tani kanë afruar shërbimin e tyre nëpër familje apo kudo ku jetojnë të sëmurët mendorë, me qëllim që t'jua lehtësojnë rëndimin e gjendjes shëndetësore.