Meta në Pogradec: Sfida jonë është integrimi i Shqipërisë në BE
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me strukturat e LSI-së në Rrethin e Pogradecit për t’i falënderuar për rezultatin shumë të mirë që LSI mori në këtë rreth në zgjedhjet e 23 qershorit.Meta në fjalën e tij ka deklaruar se LSI ishte e bindur në rezultatin e saj në Pogradec dhe në të gjithë Shqipërinë. “Ju falënderoj përzemërsisht për angazhimin dhe për kontributin tuaj për rezultatin tepër pozitiv që ne arritëm në të gjithë Rrethin e Pogradecit, afro 6 mijë vota, një rezultat i cili mban një peshë të veçantë në të gjithë suksesin që ne arritëm në Qarkun e Korçës por edhe në të gjithë vendin. Kanë qenë zgjedhje të vështira por ne kemi qenë të përgatitur dhe kemi pasur besim të plotë se këto do të ishin zgjedhje të cilat do të tregonin vitalitetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, fuqinë e saj, perspektivën që ajo ka dhe që do t’i shërbejë të gjithë vendit”, tha ai.Meta deklaroi se kontributi i LSI-së ka qenë i jashtëzakonshëm për të gjithë koalicionin e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”. Sipas tij 180 000 vota kanë qenë vendimtare për këtë rezultat të jashtëzakonshëm, për këtë fitore domethënëse, për këtë rrotacion tepër të vendosur. “Natyrisht që kontributi i LSI-së nuk ndalet këtu përkundrazi 23 qershori është vetëm stacioni i radhës në angazhimin tonë si forcë politike për të transformuar vendin, për ta bërë atë një vend plotësisht evropian, të standardeve evropiane. Ne i kemi treguar aftësitë tona në të kaluarën dhe do t’i tregojmë akoma më shumë tani. 180 000 vota dhe 16 mandate është një rezultat i jashtëzakonshëm”, vijoi ai.Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim tani ka marrë atë shpejtësinë e duhur për të ecur drejt atyre objektivave që do ta shndërrojnë në një forcë akoma edhe më të fuqishme, akoma edhe më shpresëdhënëse, në një garanci të fuqishme për normalitetin e jetës politike në vend, për stabilitetin e vendit, për zhvillimin e tij, për integrimin e tij e sidomos për punësimin e pogradecarëve, të të rinjve dhe për punësimin e të gjithë shqiptarëve”, tha z. Meta. Sipas tij “prosperiteti dhe e ardhmja ndërtohen vetëm me punë dhe është detyra jonë në radhë të parë t’i japim mundësi njerëzve që të punojnë”.Duke përfunduar Lideri i LSI-së tha se 23 qershori do të mbetet në historinë e LSI-së si një moment ringritjeje të pandërprerë në emër të së ardhmes. “Për mua është një kënaqësi që të vij gjithmonë në Pogradec. Kjo ishte një kënaqësi e veçantë sepse është pas një fitoreje tepër të spikatur. Ju falënderoj shumë për punën që keni bërë, për angazhimin tuaj. Mendoj se 23 qershori do të mbetet në historinë e forcës sonë politike si një moment ringritjeje të pandërprerë në emër të së ardhmes dhe në emër të të rinjve dhe të rejave të cilët patën një rol të jashtëzakonshëm për këtë shtim votash të LSI-së anembanë vendit. Ata shohin të ardhmen dhe perspektivën e tyre tek LSI-ja, siç e shohin edhe prindërit për fëmijët e tyre”, përfundoi fjalën e tij në takimin falënderues të zhvilluar me strukturat e LSI-së në Rrethin e Pogradecit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.