Durrës, CEZ shpërndarje vijon ndërprerjen e energjisë ndaj debitorëve

CEZ Shpërndarje vijon ndërprerjen e energjisë elektrike ndaj debitorëve në qytetin e Durrësit.Aksioni i nisur pak javë ndaj debitorëve dhe abuzuesve të cilët nuk paguajne prej kohësh faturat e energjisë elektrike është shtrirë nga plazhi i Durrësit deri në Kavajë duke i ndërprerë energjinë 615 abonentëve të cilët nuk paguanin prej kohësh faturat e energjisë elektrike.Drejtor i Departamentit të shitjeve në CEZ, Ilirjan Shkëmbi ka paralajmëruar tolerancë zero ndaj abuzueve që nuk paguajnë, ndërkohë që është shprehur se do të ketë masa administrative edhe ndaj atyre që identifikohen për lidhje të paligjshme të energjisë apo abuzimet me matësit e saj.Duke nisur nga plazhi i Durrësit deri në Kavajë, sipas CEZ shpërndarje, rezultojnë 1000 debitorë ku 615 prej tyre u është ndërprerë energjia elektrike. Përsa i përket arkëtimeve, Shkëmbi është shprehur se janë likuiduar rreth 3.4 mln lekë të reja në Kavajë dhe 20 milion lekë të reja në Durrës.CEZ Shpërndarje do të vazhdojë edhe në ditët në vijim ndërprerjet e energjisë për të gjithë ata shtetas që nuk paguajnë faturat apo janë debitorë. Kompania garanton furnizimin me energji pa ndërprerje edhe gjatë sezonit turistik.