Basha i përgjigjet Patozit: Garë fiktive? U dëgjua zëri i anëtarësisë, Rama projekt të rrezikshëm për INSTAT-in
Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka cilësuar si të rrezikshme deklaratat e djeshme të kryesocialistit Rama për një formulë të re menaxhimi për INSTAT-in.Në një prononcim për mediat gjatë inagurimit të rrugës "Gramoz Pashko" në Tiranë, Basha u shpreh se Rama kërkon të zhdukë zërat e të vërtetës me qëllim fshehjen e dështimeve për mosmbajtjen e premtimeve piramidale."Qëndrimi i djeshëm i kryesocialistit, edhe njëherë dëshmon një mendësi të vjetër anti-shtet, anti-institucione. Ky është një propozim, për të zhdukur dhe eliminuar një zë të fuqishëm të së vërtetës që është Instituti i Statistikave, zë të cilin opozita e djeshme e ka përdorur sa herë i ka leverdisur. Nuk kemi të bëjmë vetëm me qëndrim me dy standarde por kemi të bëjmë me një projekt të rrezikshëm anti -shtet, zhdukja e një zëri të besueshëm siç është INSTAT, me qëllim për të manipuluar të vërtetën dhe fshehjen e dështimeve të pritshme dhe mosmbajtjen e premtimeve piramidale të 23 qershorit. Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të çdo institucioni, do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të INSTAT-it si një institucion i zërit të besueshëm dhe i të vërtetës dhe në çdo rast do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të së vërtetës dhe nxjerrjen e saj para shqiptarëve ashtu siç është, demaskimin e çdo përpjekjeje për ta manipuluar atë akoma pa u instaluar në pushtet, si një përpjekje për të manipuluar vetë kontratën e 23 qershorit që po faktohet dita ditës si një kontratë mashtrimi, karshi qytetarëve shqiptarë" tha Basha.Deklaratat e Patozit, Basha: U shprehën 41 mijë anëtarë të PD-sëI pyetur në lidhje me deklaratat e Astrit Patozit se gara për kreun e PD-së ishte e parapërcaktuar, Basha u shpreh se ka dëgjuar vullnetin e 41 mijë anëtarëve.“Në Partinë Demokratike, çdokush thotë atë që mendon apo atë që do të thotë. Kjo vlen për anëtarët e thjeshtë të PD, vlen për drejtues, vlen për këdo. Ne jemi dhe mbetemi parti e njerëzve të lirë dhe lirisë së shprehjes së mendimit në çdo kohë dhe për çdo çështje. Për çështjen në fjalë, mbi 41 mijë anëtarë të PD janë shprehur qartë dhe duke dëgjuar vullnetin e tyre, zërin e tyre, është detyra ime por edhe e gjithkujt prej nesh të angazhohemi maksimalisht për një përballje të fortë, të vendosur e të pandarë, me sfidat që na presin dhe kthimin e këtyre sfidave në mundësi për PD dhe nëpërmjet PD, për shpresat dhe aspiratat e çdo qytetari shqiptar karshi mazhorancës problematike të mashtrimit të 23 qershorit" tha Basha.Sa i përket ingaurimit të rrugës “Gramoz Pashko”, Basha theksoi se ajo është një tjetër premtim i mbajtur i bashkisë dhe një dëshmi për transformimin e Tiranës."Kjo është një rrugë tërësisht e re e kryeqytetit, që u shërben mbi 8 mijë banorëve dhe mbi 30 mijë qytetarëve të tjerë që do ta përdorin atë si arterie komunikimi ditë për ditë. Është një rrugë e bërë me parametra modernë, që ka ndryshuar tërësisht cilësinë e jetës së këtyre banorëve, këtu, mban emrin e një prej themeluesve të Partisë Demokratike dhe sot jam jashtëzakonisht i kënaqur që bashkë me banorët shikojmë përfundimin e një pune e cila faktikisht bëri sikur nisi për afro 10 vjet, por nuk nisi asnjëherë. Sot, kjo rrugë është një premtim i mbajtur për këta banorë, është një tjetër dëshmi e transformimit në qytetin e Tiranës, nga përkushtimi dhe fokusimi i vëmendjes së bashkisë së qytetit, tek nevojat e qytetarëve dhe tek problemet e projektet që përmirësojnë cilësinë e jetës anembanë qytetit” theksoi Basha.