Ndërtimet pranë Kishës së Laçit, Prokuroria vendos për prishjen e tyre

Ndërtimet pranë Kishës së Shna Ndout në Laç do të prishen.Organi i hetimit ka nxjerrë një urdhër ekzekutimi për këto objekte, kjo nisur edhe nga shqetësimet e ngritura nga kleri katolik, sipas të cilëve zënia e hapësirave, u kthye në një shqetësim serioz. Parandalimin e ndërtimeve pa kriter në këtë vend të shenjtë e kërkojnë edhe vetë pelegrinët. Sipas tyre qytetarët duhet ta respektojnë dhe jo ta dëmtojnë këtë objekt kulti, i cili vizitohet nga qindra mijëra pelegrinë.Drejtues të Kishës pretendojnë se zona ku janë ndërtuar rreth 40 biznese është e gjitha pronë e saj dhe kjo dëshmohet edhe me çertifikatë pronësie. Burime nga Gjykata e Kurbinit kanë bërë të ditur se reagimi do të vijë menjëherë sapo të mbërrijnë materialet e hetimit nga prokuroria.Ndërkohë edhe nga Komuna e Milotit bëhet me dije se janë pregatitur proçesverbalet e objekteve që do të prishen, dhe për këtë aksion do të bashkëpunojnë edhe me Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Dy ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka kërkuar që ky rast të ndiqet me përparësi nga Prokuroria e Kurbinit, kjo për shkak se Kisha e Laçit ka një ndjeshmëri të lartë në një komunitet të gjerë qytetarësh.