Kukës, PD: Rinumërimi, asnjë shans për heqjen e mandatit të djathtë
Numri i mandateve në Qarkun e Kukësit do të mbetet i pandryshuar dhe Partia Demokratike nuk do ta humbasë atë.Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike të Kukësit, Ebsen Elezi, i cili ka shtuar se gjatë numërimit të votave dhe mbledhjes së rezultateve, nuk është kryer asnjë gabim.Elezi ka shtuar se Lëvizja Socialiste për Integrim, në Kukës, për zgjedhjet e 23 Qershorit, nuk ka marrë votat e elektoratit por i ka blerë ato. Ndërkohë, deklarimeve të kësaj force politike se PD e PS mund të kenë bërë ndonjë marrëveshje për ndarjen e votave të LSI-së, ai e mohon kategorikisht këtë fakt.Në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit, në qarkun e Kukësit demokratët morën 3 mandate, ndërkohë që socialistët vetëm një. Lëvizja Socialiste për Integrim pretendon se një mandat i takon asaj, dhe jo të djathtës, pasi në disa kuti të KZAZ-së së Tropojës janë bërë disa gabime. Ky pretendim u ngrit pas rezultatit mjaft të ngushtë që është, me 15 vota në favor të PD-së.Tashmë është Kolegji Zgjedhor ai që do të vendosë mbi faktin se ku do të shkojë ky mandat.