Qeveria e re, përfundon mbledhja e Ramës me aleatët e koalicionit

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka mbledhur pasditen e sotme për herë të parë pas fitores në zgjedhje, aleatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”.Mbledhja e cila ishte planifikuar për tu mbajtur në orën 17:00, u shty dhe nisi në orën 19:00, pasi nuk ishin të pranishëm të gjithë krerët e partive aleate, ndërsa në fokus të takimit që u zhvillua me dyer të mbyllura në selinë e Partisë Socialiste, ishte ndarja e përgjegjësive në qeverisjen e re të vendit.Ndërkohë që rreth orës 19:00 kanë mbërritur në selinë e Partisë Socialiste, Paskal Milo i PSD-së, Petro Koçi i PSV 91, Ervin Mete i G-99, Spartak Ngjela i PLD-së, Artur Dojaka i AP-së, Zef Bushati i ADK-së, ndërsa Vangjel Dule i PBDNJ-së ka dërguar një  përfaqësues në këtë takim.Por ajo që u vu re në këtë takim, ishte mungesa e Kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi.Në përfundim të këtij takimi i cili ka zgjatur pak më shumë se një orë, kreu i PS-së, Edi Rama u largua nga selia rozë pa pranuar të ndalej përpara mediave, kurse kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela e cilësoi takimin si të përgjithshëm. Lidhur me marrëveshjet, Ngjela përsëriti se ai e ka bërë marrëveshjen e tij.Ndërkaq, kreu i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku e cilësoi takimin e si mjaft të frytshëm, ndërsa theksoi se në mbledhje nuk u diskutua për ndarjen e posteve ministrore.“Ishte një takim shumë i frytshëm, ishte rikonfirmim i marrëveshjes dhe marrëdhënieve tona. Kryeministri i ardhshëm foli me ne për formën dhe mënyrën e qeverisjes, duke na porositur për njerëzit që do punojnë në administratë. Nuk diskutuam konkretisht për kabinete. U la që të kemi një koordinator brenda koalicionit."- tha Frroku.Në marrëveshjen parazgjedhore të nënshkruar mes PS-së dhe aleatëve të saj thuhet se pas fitores në zgjedhje të koalicionit, ndarja e posteve për partitë aleate do të bëhet në bazë të votave të marra në zgjedhjet e 23 qershorit“Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike. Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror”, thuhet në marrëveshje.Një ditë më parë, kreu i PS-së dhe njëherësh edhe kryeministri i ardhshëm i vendit saktësoi edhe strukturën e qeverisë së re e cila do të ketë në përbërjen e saj 16 ministri.