Edi Rama shtron Iftar: Të ruajmë vlerat e jashtëzakonshme të harmonisë fetare
Kreu i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryeministri i zgjedhur, Edi Rama bashkë me bashkëshorten Linda kanë shtruar iftar për besimtarë myslimanë në nderim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.Të pranishëm ishin mbi 300 të ftuar, përfaqësues të Komunitetit Mysliman Shqiptar, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, figura politike etj.
Në fjalën e tij, para të ftuarve Rama vlerësoi harmoninë fetare në vend, e çmoi fenë në Shqipëri si një trashëgimi unikale botërore, pasi ajo këtu, ndryshe nga ç'ndodh nëpër botë, do të thotë bashkim dhe jo ndarje, si dhe bëri thirrje për të punuar më shumë për ruajtjen e saj.Ai kujtoi vitet e para kur Dom Jubani në Shkodër organizoi meshën e paligjshme në kishën që ishte ende Pallat Sporti dhe ku atje, në atë grumbullim të paligjshëm, u mblodhën myslimanë dhe të krishterë dhe ku atë vetë, Ramën, e çoi atje rruga e lirë.“Sonte jemi mbledhur mes njerëzish të lirë dhe të besimeve të ndryshme. Shqipëria, ky është vendi ku secili prej nesh vendas apo i huaj, në çdo rast të festave fetare ndihet posaçërisht mirë, sepse feja sot në Shqipëri lidhet me harmoninë dhe jo dasinë, me vlerën e një bashkëjetese si urë me besimet e tjera. Nëse ne nuk e kuptojmë rrezikun që i kanoset, nesër mund të jetë vonë, ndaj mendoj se secili prej nesh ka diçka për të bërë për të mbrojtur vlerat e saj dhe kultivuar ato tek më të rinjtë.”- theksoi Rama.
Ai shtoi se në botën sotme të ndasive të thella, përbën një vlerë ende më të jashtëzakonshme, duke theksuar se kjo gjithsesi është një trashëgimi e rrezikuar. Rama tha se secili ka mundësi për të bërë më shumë, madje edhe qeveria. Ai u zotua se qeveria e tij do të bëjë më shumë për të ruajtur këtë trashëgimi të jashtëzakonshme.“Edhe qeveria shqiptare ka në dorë të bëjë shumë dhe ne do ta bëjmë," – premtoi Rama.Rama shprehu mirënjohje për përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të cilët sipas tij, megjithëse u rikthyen në mision pas shkëputjes së gjatë prej komunizmit, e rikthyen fenë me zërin e urtësisë dhe tolerancës.Më tej ai i përcolli Komunitetit Mysliman SHqiptar urimet më të mira për muajin e shenjtë.“Uroj një Ramazan të bekuar”, tha Rama.