Shtyhet kërkesa e LSI-së për Kukësin, kolegji kërkon kohë për të shqyrtuar ekspertizën
Nga OraNews Përditësimi i fundit 25 Korrik 2013, 09:06
Kolegji Zgjedhor ka shtyrë për nesër shqyrtimin e ankimimit të LSI-së për qarkun e Kukësit.
Shtyrja e seancës nga Kolegji Zgjedhor, pasi gjykata dhe palët e interesuara duhet të njihen me aktin e ekspertizës së bërë nga dy ekspertët.
Në seancën e cila do të zhvillohet nesër në orën 16:00 pritet që dy ekspertët e Kolegjit të japin konkluzionet në lidhje me provat e paraqitura nga LSI për Kukësin.Dy ditë më parë Kolegji pranoi provë materiale filmike dhe vendosi që akti i ekspertimit të bëhet nga dy ekspertë të caktuar nga 2 forcat politike të interesuara, LSI dhe PD.LSI caktoi Ardian Pollon ndërsa Partia Demokratike Zamir Hoxha.Sipas përfaqësuesve të LSI, Ilirjan Muho dhe Spartak Braho, në 15 Qendra Votimi në rrethin e Tropojës ka mospërputhshmëri të rezultatit final, të tabelës përmbledhëse të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pamjeve filmike.Po sipas përfaqësuesve të LSI-së, bëhet fjalë për një total prej 155 votash, të cilat - sipas tyre - janë manipuluar, duke shkuar në favor të koalicionit të djathtë.