Festivali i Teatrit në Butrint, mbyllet me performancën e trupës së Bergamos

 Festivali Ndërkombëtar i Teatrit "Butrint 2000", ka mbyllur mbrëmjen e djeshme edicionin e tij të 12. Trupa teatrore e teatrit "Silence" të Bergamos Itali, ishte debutimi më i veçantë ndër vite i këtij Festivali pasi performoi në rrugë mes qindra vizitorëve në shëtitoren e Sarandës.Pjesa e titulluar : "Si ëngjëjt në qiell", befasoi publikun me dinamikën  dhe format e avancuara të ekspresionit. "Ëngjëjt" hynë mes publikut në shëtitore ku u vendosën krah monumenteve dhe u përpoqën të vendosin një komunikim të heshtur mes teatrit dhe mjedisit jetësor dhe një dialog jetësor mes hapësirës urbane dhe punës artistike.Teatri "Silence" pjesëmarrës në më shumë se 40 Festivale të të ketij lloji në të gjithë botën njihet gjithashtu si autori dhe promotori i eksperiencës së quajtur "Vendet e Kujtesës", një teatër qëllimi i së cilës është prodhimi i një shfaqjeje teatrale në rrugë.Festivali Ndërkombëtar i Teatrit "Butrinti 2000", u rikthye pas dy vitesh mungese , pa praninë e një trupe shqiptare, por kritikët vlerësuan si mjaft prestigjoze pjesëmarrjen dhe performancat ndërsa organizatorët thanë se Festivali nuk do të mungojë më kurrë. Këtë sezon në skenë u ngjitën trupat e teatrove të Bullgarisë, Spanjës, SHBA dhe Ukrainës, ndërsa trupa italiane interpretoi në shëtitore.