Berisha takim me delegacionin e “SOCAR” dhe një grup biznesmenësh amerikanë

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha ka pritur sot në një takim delegacionin e nivelit të lartë të kompanisë azere të prodhimit të naftës dhe gazit SOCAR, të kryesuar nga Presidenti, Rovnaq Abdullayev, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Azerbajxhanit për Shqipërinë, Rahman Mustafayev.

Kryeministri Berisha pret delegacionin e nivelit të lartë të kompanisë azere të prodhimit të naftës dhe gazit SOCAR

Presidenti Abdullayev, së pari, transmetoi përshëndetjet e përzemërta të Presidentit të Azerbajxhanit, Aliyev, për Kryeministrin Berisha. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen e tij për kontributin dhe angazhimin personal të Kryeministrit Berisha në mbështetje të projektit të TAP-it, si një projekt me rëndësi jo vetëm për Europën, por veçanërisht për rajonin. Ai theksoi se një projekt i përmasave të tilla, me impaktin ekonomik dhe gjeopolitik të tij, do të shërbejë si një themel i fortë për zhvillimin në të ardhmen e Shqipërisë. Në vijim, ai shprehu angazhimin e kompanisë SOCAR për të bashkëpunuar ngushtë me autoritetet shqiptare, për të ravijëzuar në detaje masterplanin dhe të gjitha proceset për gazifikimin e Shqipërisë.Kryeministri Berisha, pasi uroi mirëseardhjen e delegacionit të kompanisë SOCAR në këtë vizitë të parë në Shqipëri, shprehu falenderimet e tij të sinqerta për përzgjedhjen e projektit të TAP-it, duke e konsideruar si një arritje strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Projekti i TAP-it paraqet bindshëm një mundësi për intensifikimin e marrëdhënieve shumëanëshe mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, theksoi Kryeministri. Veçanërisht, Kryeministri shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për këndvështrimin vizionar të Presidentit Aliyev në këtë proces të rëndësishëm, si pjesë të Korridorit të Jugut të Gazit, me rëndësi për të gjithë Europën.Vendimi përfundimtar i përzgjedhjes së projektit TAP u mirëprit nga Shqipëria, pasi projekti ofron mundësi reale për diversifikimin e burimeve të energjisë në vend përmes gazifikimit të Shqipërisë, jo vetëm për qëllime industriale, por edhe për qëllime rezidenciale, theksoi ai. Kryeministri Berisha edhe njëherë shprehu bindjen se autoritetet shqiptare do të përmbushin të gjitha detyrimet për të bërë të mundur përfundimin nga konsorciumi TAP e ndërtimit të gazsjellësit në kohë, sikurse edhe për të garantuar fazën e operimit të tij, sipas angazhimeve të ndërmarra.Kryeministri Berisha pret një grup biznesmenësh amerikanëPo ditën e sotme, Kryeministri Berisha ka pritur në një takim dhe një grup biznesmenësh amerikanë, që së bashku me familjet po bëjnë një vizitë në Ballkan për qëllime turistike dhe investuese. Në përbërje të grupit janë Thomas L. Wentling nga kompania UBS, Stender E. Sweeney nga kompania Pasadena Angels, David McL. Hillman nga kompania PNC Riverarch Capital, Callie Wentling nga kompania Boulder Engineering Studio etj..Ata e informuan Kryeministrin se erdhën në Shqipëri nga Kosova, duke kaluar nga rruga e Kombit dhe kjo, për ta, ishte një mrekulli, një rrugë e standardeve ndërkombëtare dhe një peizazh i mahnitshëm. Ata u shprehën se që në momentet e para e ndjenë se Shqipëria është një vend mikpritës, me potenciale të shumëllojta turistike dhe me një infrastrukturë moderne. Ata përgëzuan Kryeministrin për pamjen e Shqipërisë moderne, të arritur në sajë të lidershipit të tij dhe përballjen me sukses të ekonomisë shqiptare me krizën globale.Kryeministri Berisha i falënderoi për interesin turistik dhe investues ndaj Shqipërisë dhe ju uroi mirëseardhjen dhe qëndrim të këndshëm në Shqipëri. Me kërkesën e tyre, Kryeministri u bëri një ekspozim të ekonomisë shqiptare, zhvillimeve të saj dhe potencialeve që ju ofrohen investitorëve. Ndër sektorët më pikantë për nga potencialet e zhvillimit, Kryeministri përshkroi turizmin e shumëllojshëm, detar, malor, kulturor dhe aventuror. Kryeministri identifikoi si një nga sektorët që ka bërë hop të madh në gjashtë vitet e fundit, energjinë dhe sidomos sektorin e prodhimit të energjisë hidro, përkrah interesit për energjinë e erës dhe asaj diellore. Projekte të mëdha tashmë kanë filluar në këtë sektor, janë rreth 60 hidrocentrale të vogla e mesme të përfunduara, 70 në ndërtim e dhjetëra të tjera në pritje për financim. Ka ende kaskada ujore për t’u shfrytëzuar dhe investimi në to është absolutisht i dobishëm dhe fitimprurës për të gjitha palët, në kuadrin e tregut të madh dhe kërkesave për energji të rinovueshme, sidomos nga Italia. Sektori i mineraleve po ashtu përbën një potencial tjetër të madh të ekonomisë shqiptare për nga pasuria e burimeve minerare si krom, bakër, hekur nikel, ar dhe platin. Rezervat e naftës dhe potencialisht të gazit kanë tërhequr tashmë shumë investitorë të huaj dhe ofrojnë mundësi zhvillimi të  mëtejshëm, qoftë në det apo në tokë, - u shpreh Kryeministri në ekspozenë e bërë.Kryeministri Berisha theksoi se më të vyera se burimet natyrore, Shqipëria ka burimet njerëzore, të rinj e të reja, specialistë të shkolluar dhe kualifikuar brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, klima e biznesit me taksën e ulët të sheshtë, lehtësimi i procedurave, heqja e taksave për inputet bujqësore e industriale si dhe kapitalin etj. janë një tjetër avantazh që ofrohet në Shqipëri për investitorët e huaj. Sikundër mbrojtja e investitorit, infrastruktura tashmë e zhvilluar dhe moderne, investimet e huaja ekzistues dhe ato në proces, hapat gjigande për përhapjen e teknologjisë së informacionit janë shina të sigurta për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare dhe suksesin e investimeve të huaja dhe vendase.Investitorët shprehën shqetësim nëse këta faktorë nxitës e tërheqës për ta do të mbahen nga qeveria e re në vazhdim. Kryeministri shprehu bindjen se arritjet e mëdha të ekonomisë shqiptare në këto fusha duhet të përbëjnë bazën e mëtejshme të zhvillimit të vendit dhe të mbajtjes së ekonomisë në ekuilibra dhe rritje ekonomike.