Empoli refuzon ofertën e Lazios për Elseid Hysaj

Zhvillimet e fundit në merkaton e Lacios, duket se nuk janë në rrugën e duhur. Pas një interesimi për dy mbrojtësit e kombëtares tonë Mavaraj dhe Hysaj, zhvillimet nuk kanë shkuar ashtu siç pritej. I pari është pranë një rinovimi në Eintrakt Frankfurt ndërsa i dyti pavarësisht dëshirës për tu bashkuar me kryeqytetasit, është klubi ai që nuk dëshiron ta lërë të lirë mbrojtësin Elseid Hysaj.Sipas raportimeve që vijnë nga mediat italiane, bëhet e ditur se drejtuesit e klubit të Empolit, kanë refuzuar ofertën e parë të bardhëkaltërve prej 1.8 milion euro, duke pretenduar se vlera e 19 vjeçarit është minimalisht 3 milion euro. Oferta e drejtorit sportiv të bardhekaltërve, Igli Tare, nuk ka mjaftuar, pasi presidenti i Empolit, Karli, kërkon pak a shumë dyfishin e ofertës së bërë nga Lacialët.Dëshira e ish bomberit të kombëtares ton kuqezi, që në skuadrën ku ai luan një rol të rëndësishëm të ketë sa më shumë lojtarë shqiptarë është e madhe, ndaj dhe të gjithë shpresojnë që në ditët e ardhëshme oferta për Elseid Hysaj të rritet, ndoshta jo aq sa kërkon presidenti i Empolit, por të paktën në një shumë të përafërt për të bindur drejtuesit e skuadrës e cila vazhdon të mbetet pjesë e Serisë B prej disa sezonesh. Nëse në oret e ardhëshme rrjedha e gjërave do të ndryshojë në favor të një transferimi të Hysaj drejt kryeqyteti Italian, atëherë mbrojtësi kuqezi do ti bashkohet grupit të lojtarëve shqiptarë në radhët e klubit të Lacios me në krye kapitenin e kombëtares sonë, Lorik Canën.Gjithashtu sipas asaj që raportohet nga mediat fqinje, në qendër të disa klubeve të Serisë A dhe Serisë B kanë përfunduar dhe dy futbollistë të tjerë të kombëtares, Jurgen Gjasula, aktualisht pjesë e skuadrës së Duisburg dhe Armando Vajushi, që sezonin e fundit u aktivizua në Bullgari me skuadrën e Liteks Lovec. Ndërsa gjithmonë në lidhje me legjonarët e kombëtares, orët e fundit të merkatos flasin për një kalim të shkodranit Bekim Bala, nga skuadra e Spartës së Pragës në Poloni për te ekipi Jagellonia Bialystok. Sulmuesi i kombëtares kuqezi ka kaluar në formë huazimi me shpresën se do të ketë më shumë hapsira për tu aktivizuar, pasi të skuadra Çeke në sezonin që lamë pas, hapsirat kanë qenë shumë të pakta.