Formula 1, Rosberg triumfon në çmimin e madh të Britanisë
Formula 1 ka dhuruar emocione të veçanta në Britaninw e Madhe ku Niko Rosberg ka arritur të triumfojë në Çmimin e Madh të Silverstone. Piloti gjerman i Mercedes la pas në këtë garë pilotin e Red Bull, Mark Uebber dhe atë të Ferrarit, Fernando Alonso.Gara e Britanisë më shumë sesa për triumfin e gjermanit Nico Rosberg do të mbahet mend për problemet e mëdha që patën pilotët me gomat. Marka e famshme italiane Pirelli që furnizon të gjitha skuadrat e Formula 1 ka qenë vazhdimisht nën akuzë për fortësinë e gomave apo dhe rezistencën e tyre, megjithatë ato sërish u rikthyen në faktor, madje deri në atë pikë sa për të kushtëzuar edhe gjithë ecurinë e garës. Kështu Lewis Hamilton theu zemrat e britanikëve teksa e pësoi pikërisht prej tyre, kur ishte në kryesimin e garës. Të njëjtin fat pësoi gjithashtu edhe kampioni në fuqi Sebastian Vettel.Gara e tetë sezonale ishte një garë shumë pozitive për Uebber, i cili edhe pse u nis nga vendi i katërt përfundoi menjëherë i 15-ti, ndërsa në fund të garës arriti podiumin duke u renditur i dyti. Garë spektakolare zhvilloi edhe 2 herë kampioni i botës Fernando Alonso i cili fillimisht startoi nga vendi i 9, ndërsa në fund pas kaosit të ndërrimit të gomave në xhirot finale rikuperoi nga pozicioni i tetë në të tretin, duke përfituar ndjeshëm terren ndaj Vettel që aktualishtë kryeson renditjen e Formula 1.Hamilton e mbylli garën në vendin e katërt, Raikonen i pesti, e me radhë prapa tyre u renditën Masa, Suttil, Rikiardo, Di Resta e Hulkenberg, ndërsa Xhenson Batton nuk shkoi më larg sesa vendi i 13. Klasifikimin e përgjithshëm vazhdon ta kryesojë Vettel me 21 pikë më tepër se Alonso, ndërsa Raikkonen e Hamilton ndjekin të distancuar respektivisht me nga 34 e 43 pikë diferencë. Gara tjetër do të jetë ajo e çmimit të madh të Gjermanisë, që do të zhillohet javën e ardhshme.