Motot GP, aksidentohet rëndë Lorenco, mund të humbasë sezonin
Provat e lira në Motot GP kanë qenë aspak pozitive për kampionin e botës Horge Lorenco. Piloti Spanjoll ka pësuar një dëmtim të rëndë dje gjatë provave që mund ti kushtojë shumë në vijimësinë e karrierës.Horge Lorenco do t'i nënshtrohet të dielën operacionit në klavikulën e majtë, të cilën e ka thyer për të pestën herë, pas u rrëzua në provat e lira të Çmimit të Madh të Asen në MotoGP. Spanjolli është rrëzuar nga motori në një pistë të lagur, pikërisht në një nga zonat më të shpejta, ku mendohet se ai ka qenë me 238 kilometra në orë.Sipas asaj që është bërë e ditur nga vetë skuadra e Jamahas, pritet që Lorenco t'i nënshtrohet një operacioni kirurgjik dhe normalisht nuk do të marrë pjesë në garën e fundjavës. Por shpresohet që ai të kthehet në radhët e ekipit për garën e radhës, atë të Saksenring në Gjermani që zhvillohet pas dy javësh. Kontrollet që po i bëhen pilotit spanjoll dhe ndërhyrja e ditës së djelë do të tregojnë më qartë se cila do të jetë e ardhmja e kampionit të botës, nëse do të vazhdojë sërish të garojë apo jo.Dëmtimi vjen në një moment mjaft të vështirë, pasi Lorenco në dy garat e fundit kishte siguruar dy fitore duke ngushtuar diferencën me Dani Pedrozën që aktualisht kryeson kampionatin. Ndaj Jamaha për momentin ka varur shpresat te Valentino Rosi, duke e parë atë si forcën e vetme që mund të ndalë dyshen spanjolle të Hondas nga një tjetër sukses në këtë fundjavë.