Salihi firmos një dygolësh për skuadrën e tij, Jangsu Sainty

Hamdi Salihi kthehet në një hero në Kinë. Është sërish ai, i njëjti që shënon dhe i siguron fitoren skuadrës së tij, Jangsu Sainty. Madje, dje shkodrani nuk është mjaftuar vetëm me golin e hapjes, por edhe të vulosjes së rezultatit. Bomberi i kombëtares ton kuqezi ka qenë dje protagonisti i Jiangsu Saintit në fitoren 3-0 në kampionatin kinez ndaj Qingado Jonoon.Triumfi erdhi nga këmbët e sulmuesit shkodran, i cili në minutën e 35-të kaloi fillimisht në avantazh Jiangsu Saintin, pas një zhytjeje të bukur me kokë në zonën e vogël të portës së kundërshtarit. Krosimi nga e djathta e sulmit gjeti pikërisht Salihin, i cili si një nuhatës i vërtetë u hodh në planzhon para mbrojtësit kundërshtar dhe me kokë e dërgoi topin në cepin e djathtë të mbrojtur nga portieri. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën ishte Jianje Liu që dyfishoi në minutën e 64-t. Pas këtij goli, miqëve iu prenë shpresat për një kthim rezultati, ndaj nisën të lënë shumë hapësira në fushë. Këtu përfiton sërish bomberi i kombëtares kuqezi, Hamdi Salihi. Pas një kundërsulmi, në minutën e 73- të, një kros nga e djathta në shtyllë të dytë gjeti këmbët e sulmuesit kuqezi, i cili arriti ta ndalë dhe me portën e boshatisur, thjesht bën detyrën duke e shtyrë topin drejt rrjetës.Ky ishte goli i 8-të i tij në kampionatin kinez, dhe dopieta e dytë në 14 javë kampionat. Salihi aktualisht renditet në vendin e tretë në listën e golashënuesve, e cila kryesohet nga sulmuesi i Guangzhou Evergrande, Elkeson, me 16 gola dhe Edu i Liaoning me 10 gola.Siç shihet, diferenca është ende e madhe për të pretenduar "Këpucën e Artë", kjo edhe për faktin se braziliani Elkeson luan te skuadra më e mirë në Kinë, e cila ka natyrisht edhe lojtarët më të mirë, çka i jep mundësi këtij të fundit që të jetë më rezultativ para portës së kundërshtarëve. Sakaq, skuadra e Jiangsu Sianti ku luan Salihi, e cila sezonin e shkuar ishte nënkampione e vendit, ka shënuar gjithsej 17 gola në 14 javë kampionat, nga ku gati gjysma kanë për autor goleadorin e njohur shkodran, Salihin.Pas 14 javësh kampionat, skuadra e Salihit pozicionohet në vendin e 6-të me 20 pikë, 18 më pak sesa Guangzhou Evergrande, e cila drejtohet nga tekniku i mirënjohur italian Marçelo Lipi.