Basha premtime për Tiranën: Deri në 30 shtator mbyllet proçesi i legalizimeve
Brenda 30 shtatorit të gjithë banorët e Tiranës, do kenë në duar çertifikatat e pronësisë. Kështu ka siguruar kryeqytetasit, Kreu i bashkisë Lulzim Basha, gjatë inagurimit të rikualifikimit në bllokun e banimit nr.35, në njësinë nr 9, me një vlerë prej 18 milionë lekësh.“Dua të garantoj banorët e kësaj zone, që ashtu siç flasim sot me vepra dhe me fjalë dhe nxjerrim harresën dhe përbuzjen për infrastrukturën që ata gëzojnë sot, po kështu ne do të flasim me vepra e jo me fjalë dhe brenda datës 30 shtator në këtë lagje të Tiranës dhe kudo në Tiranë do të mbyllim procesin e legalizimit, duke sjellë tapitë në shtëpitë e qytetarëve. Nuk ka vend për komentet të tepërta, qytetarët kanë kohë që nuk e hanë më sapunin për djathë, veprat flasin, fjalët i merr era edhe kur i shkruajnë në copa letrash” – deklaroi Basha.Më pas kryebashkiaku Basha, ka vijuar në rrugën "Viktor Hygo", njësinë bashkiake nr. 7, në të cilën është parashikuar të rehabilitohet i gjithë blloku i banimit.“Investimet janë shtrirë dhe do të vazhdojnë të shtrihen kudo ku ka nevojë qyteti, kudo ku kanë nevojë qytetarët dhe provë e qartë është investimi që ne bëmë në këtë rrugë mu në zemër të Tiranës, por të lënë tërësisht pas dore prej dekada. Siguroj këta banorë, se investimi që është përfunduar sot është vetëm fillimi i rehabilitimit total të bllokut që nis brenda pak muajsh, me buxhetin e vitit 2013”tha ai.Basha ka vijuar më pas në njësin 10, ku ka përfunduar rindërtimi i rrugës "Hajdar Hidi", në qëndër të kryeqytetit.“Përfundimi i rrugës “Hajdar Hidi” në qendër të Tiranës, nga njëra anë na jep një kënaqësi të thellë sikundër gjithë banorëve, nga ana tjetër na kujton se sa punë të mëdha dhe të vështira ka ky qytet, për shkak të një harrese që shtrihet nga këtu, zemra e Tiranës e deri në periferitë e skajshme të qytetit, ndaj le të mbetet një premtim i mbajtur por edhe një gur prove për punët e tjera që kemi nisur t’i realizojmë në këtë lagje dhe në të gjithë lagjet e Tiranës” – deklaroi Basha.Bashkia e Tiranës ka përmbyllur në këtë mënyrë me sukses tre projektet e rindërtimit, duke garantuar qytetarët për premtimet e dhëna.