Tahiri: PD, po tenton të manipulojë zgjedhjet. Ndëshkim çdo manipulatori

Pas LSI-së edhe Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të manipulojë zgjedhjet duke blerë votat dhe duke falsifikuar kartat e identitetit.Në një konferencë për shtyp, deputeti i PS-së Sajmir Tahiri theksoi se  e gjithë administrate është vënë e gjitha në shërbim të Partisë në Pushtet.“Administrata Publike është kthyer në seksion partie, ca nga detyrimi për ti kthyer mbrapsht shpërblimin poliik partisë që i punësoi padrejtësisht, ca nga detyrimi për të mbuluar me punë partie zullumet e korrupsionit që kanë bërë gjatë këtyre viteve dhe ca të tjerë të detyruar nga kërcënimi me rrogën e bukën e gojës. Edhe Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, janë kthyer në reparte militantësh, me shefa komisariatesh, oficerë, agjent dhe inspektorë që bëjnë nga mitingashët deri të informatorët apo dhe agjitatorët e partisë në pushtet, ndërsa ca drejtues të policisë së shtetit, akoma më keq, janë kthyer në kamzhik për mbështetësit e PS apo hajdut ordiner që kërcënojnë njerëz për të mbledhur kartat e identitetit" ka theksuar Tahiri.Tahiri theksoi se PS-ja është e vendosur për te mos lejuar të deformohet qoftë dhe një votë ndërsa ka paralajmëruar se do të veprojë ligji për të gjithë ata qe ai i akuzoi si të përfshirë në 'makinerinë e manipulimit të Saliut të pashpresë'.“Ne jemi të vendosur të mos lejojmë të deformohet qoftë dhe një votë, siç jemi të bindur të merremi gjatë aq sa për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që kanë marrë guximin të shkelin ligjin për thesin e votave të familjes” tha ai.