Nishani takohet me Netanyahun: Investime dhe bashkëpunim në ekonomi
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu.Në fjalën e tij, Presidenti Nishani u shpreh se bazuar në frymën e një miqësie tradicionale dhe të fortë ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona dhe duke marrë parasysh mundësitë që ofron tashmë vendi ynë, ka ende shumë hapësirë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.Kryeministri Netanyahu, pasi u dakordua me vlerësimin e Presidentit Nishani, vuri në dukje se Izraeli mund të jetë shumë i pranishëm me investime, veçanërisht në turizëm dhe bujqësi dhe theksoi se bashkëpunimi mes vendeve tona mund të shtrihet në ekonomi, kulturë, e deri në fushën e sigurisë.Në përgjigje të interesimit të bashkëbiseduesit të tij, Presidenti Nishani u shpreh se Ballkani ka hapur një kapitull të ri dhe mund të konsiderohet tashmë rajon i mundësive të mëdha dhe shtoi se shqiptarët, me tolerancën e mirëkuptimin e tyre, kanë dhënë një shembull të shkëlqyer për rajonin dhe më gjerë, si edhe kanë kontribuar në mënyrë domethënëse për paqen dhe stabilitetin në rajon.Kryeministri Netanyahu e vlerësoi situatën në Lindjen e Mesme dhe më gjerë si shumë të brishtë nga pikëpamja e sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa çmoi lart qëndrimet e Shqipërisë për zhvillimet në këtë rajon.Në përgjigje, Kreu i Shtetit Nishani e garantoi Kryeministrin Izraelit Netanyahu se ky qëndrim do të mbetet i pandryshueshëm, sepse bazohet mbi parime të shëndosha dhe vlerësime objektive për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.Nishani takohet me LibermanGjithashtu Presidenti Nishani u takua sot edhe nga Kryetari i Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje në Knesset (Parlamenti i Izraelit), Avigdor Liberman. Pas shkëmbimeve të mirëserardhjes, zoti Liberman vlerësoi lart nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe miqësinë tradicionale mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit duke nënvizuar se Lufta e Dytë Botërore hapi një kapitull të ri në këto marrëdhënie.Nga ana e tij, Presidenti Nishani u shpreh se dy popujt tanë tashmë e njohin njëri-tjetrin dhe shtoi se forcimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat është në interes të zhvillimit dhe forcimit të lidhjeve mes vendeve dhe popujve tona.Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, Zoti Liberman e vlerësoi atë si eksplozive dhe plot rreziqe, duke shtuar se megjithatë Shteti i Izraelit po përpiqet të mos bjerë pre e provokimeve. Në lidhje me zhvillimet në Lindjen e Mesme, Presidenti Nishani e garantoi bashkëbiseduesin se Shqipëria do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim.Në përgjigje të interesimit të bashkëbiseduesit, Kreu i Shtetit Bujar Nishani u shpreh se kombi shqiptar përbëhet nga disa besime fetare, të cilat jetojnë në harmoni me njëra-tjetrën dhe se shqiptarët kudo në rajon po mbështesin zhvillimet demokratike në vendet ku ata jetojnë, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me fqinjët e tyre.Po sot, Presidenti Nishani mori pjesë ne Seancën Plenare të Hapjes së Konferencës së 5-të Presidenciale "Përballja me të Ardhmen", e cila organizohet në kujdesin e Presidentit të Shtetit të Izraelit, zoti Shimon Peres dhe zhvillon punimet në Jeruzalem më 19-20 Qershor 2013.