Psikologjia e dridhjes së vullneteve të lira
Oh sa më kanë gëzuar “sloganet” e fushatës zgjedhore! Njëra më e mirë e më e bukur se tjetra. U vura në pozitë të vështirë se kë të lavdërosh më parë e kë të lavdërosh më shumë. Por pasi selektova e pasi i pashë me sy kritik, desha s’desha zgjodha “sloganet” më “fantastike”… Dhe sigurisht, në krye janë ata më të mëdhenjtë. Kjo edhe për faktin se të mëdhenjtë janë të mëdhenj, e nuk ke se çfarë t’u thuash. Sigurisht, dhe të vegjlit ecin nën shembullin e më të gjatëve e më të shëndoshëve, edhe fizikisht, edhe financiarisht. Ndaj dhe këta të kësaj kategorie më pëlqyen më shumë, madje më mahnitën e më çuditën me sloganet e tyre. Eh, thashë me vete, sa të “mençur” që janë! Janë tamam “gjeni”. Dhe e dini pse? Se slogani i tyre është slogan “pragmatist”. Lexojeni dhe, doni s’doni, do më besoni: Për-Para’! Për-Para’. Për-Para’! Për-Para’! Por Oh! Si nuk na shkoi ndër mend ne, popullit të mençur që të bënim dhe ne ca Para?! Po si ua lamë kështu të tëra “sloganet” vetëm krerëve të gjithë atyre partive që nuk jetojnë dot pa qenë kryetar partie.Ndërmend më erdhi mençuria e xha Çallos, që thoshte: “Fukaraja vuan, vagabondi bën qejf, qeveria bën sehir! Eh, thashë me vete, po ç’të bëjë populli?! Populli mih në arë për të nxjerrë bukën e gojës dhe s’e ka mendjen te “sloganet”… Po dhe të ketë mend, nuk mund të dalë populli para “50 Njëshave” … Njëshave, pra, para gjithë asaj lukunie kryetarësh. Dhe kuptohet se po qe kryetar, automatikisht është i mençur, madje kryetari i cilësdo parti, qoftë dhe pa anëtar, qoftë vetëm kryetar, kryetari, sido qoftë, i di të gjitha, nga lart e deri poshtë. Për pasojë, ai i bën të gjitha. Madje, tani kanë nxjerrë dhe një “sentencë” që thotë: “Kryetari i partisë që s’i bën të gjitha, plastë e mos e zëntë dita. Madje të gjithë njësoj janë bërë, qaj nëno, qaj moj nëne! Dy alternativa ka para kryetarit: ose do të jesh i nënshtruar, ose do të jesh ‘i përjashtuar’. Njëherazi kush nuk bëhet i nënshtruar, menjëherë është i dëbuar dhe nga autobusi mavi, të nxjerr jashtë në borë e shi, dhe fërkon duart me kënaqësi, që ta shikojë çdo njeri, që të gjithë të rrinë urtë, pa një pa dy, i dëbon se s’do njeri, dhe në këmbë rri si dru i zi”. Vetëm një mendje e madhe, vetëm një mendje e zgjuar, madje vetëm një mendje gjeniale mund të pjellë sloganin: Për–para’! Për-para’, që është simbol i fërkimit të gishtërinjve. Po cilëve gishtërinj? I pari është Gishti i madh, që do të thotë “hip këtu e shiko Stambollin”. I dyti është Gishti tregues, që të tregon se si mund të bëhesh me para dhe i treti Gishti i mesit, që s’e merr vesh si e ha aq thellë. Ja… fërkimi i këtyre tre gishtërinjve të bën milioner.Pra, duke ecur Përpara për Para’ dhe vetëm për-para’!, me këtë slogan kryesor arrin të bëhesh deputet lehtë-lehtë, se paraja të vjen vetë. II. Përvoja e këtij “sloganit” të parë nxiti sedrën e kundërshtarit që nga një kryetar te tjetri. Tek “homologu” për “homologun”, që dhe ai të gjente një slogan të paparë. Madje vrau mendjen me ditë e net të tëra se çfarë slogani duhej të hidhte në treg sa më shpejt. Ndryshe fitorja vihej në pikëpyetje. Dhe ashtu, në nerva e sipër, thirri: “E gjeta, e gjeta!”. Dhe thirri atë më të bindurin e tij. Pasi i tha se kishte një gjetje ideale, i kërkoi mendimin.- Ju me siguri keni gjetur diçka gjeniale. Se ju i tëri gjenial jeni. Ku ka si TI, o kryetar? Thuama, se nuk duroj dot!-Kam tre net që mendova ditë e natë derisa thirra: “Eureka!! Eureka!!”- Të lumtë shef! (!?) Thuama, Thuama! Se nuk duroj dot më shumë.- Ja dëgjoje: Unë jam: “Rilindja e Krishtit”!- Gjetje madhështore, – thirri Sadiri! – Ti je vetë Rilindja! Madje vetë Rilindja e Krishtit.- Po pse vemi deri te ringjallja e Krishtit, kur kemi Rilindjen Kombëtare të Frashërllinjve më 1878-n?!- Po mos është “plagjiaturë”!? Mos është kopjim? Mos kërkohet e drejta e autorit?- E ku ka më autor për Rilindësit? Ata kanë vdekur të tërë. Dhe tani Rilindja është imja, – tha kryetari.- Oh! – psherëtiu Sadiri i fesë ortodokse.- Po ne kemi Rilindjen Kombëtare që e bëri Abdyl Frashëri me vulë… Që dhe eshtrat nga Stambolli në Tiranë ia prunë, – tha tërë krenari kryetari.E ku ka më autor për Rilindësit? Ata kanë vdekur të tërë. Tani “Rilindja” është imja, e mora vetë Unë. Dhe tashmë “Rilindja” e Rilindjes Kombëtare u bë pronë e Kryetarit, ashtu siç është dhe partia ime. Pasi të fitoj zgjedhjet, partia ime do të pagëzohet me emër të ri. Një e një bëjnë dy.Unë, kryetari i Partisë sime: vetë shkruaj e vetë vulos, partinë vetë e ndryshoj. Madje as festën e saj nuk e pranoj. Dhe tani e tutje vetë do komandoj. Kush kundërshton një fjalë, përjashta le të dalë. Unë jam vetë në komandë. Cili s’është me mua, qoftë dhe për një fjalë, ikën nga partia ime bëhet rrënjëdalë. Ja kështu të gjithë të vjetrit, përjashta kanë dalë. Në fakt kam dhe ca pak të vjetër, po ata më binden mua, se kush do të luajë qoftë dhe pak “bishtin”, në rrugë ka për të dalë. Me mua s’ka fjalë.Unë vetë jam partia, por dhe vetë partia jam Unë. Ndaj partia e vjetër kaq e pat! I godita “kokën” me një “sëpatë”. Madje ndaj me një fjalë goje nuk u bë as festa e saj. Pastaj mendoj: dhe emrin t’ia ndryshoj. Tashmë kjo është “Partia ime” me emrin “Mavi”, që nuk e luan asnjë qime dhe nuk e ndryshon dot ngjyrën asnjë Perëndi, se unë jam zoti në këtë parti. Ta dinë të gjithë se kush do të punojë me mua, duhet të jesh i nënshtruar, ndryshe je i përjashtuar…