Mungesa e debatit dhe çështja “KQZ”
Edhe pse në programin politik që paraqet Edi Rama thotë se do të ndryshojë shifrat e qeverisjes aktuale, ajo që bie në sy është një mungesë e çuditshme e kërkesës së tij për një debat të drejtpërdrejtë me rivalin e tij, Berishën, për të gjitha ato që mendon se do t’i bëjë ndryshe. Në fakt, kjo mungesë kërkese pas tetë vitesh në opozitë duket se do ta rëndojë PS-në më 23 qershor, më së paku duke mos shtuar votuesit, të cilët e zgjidhin dilemën e tyre pas debateve të drejtpërdrejta, ose pas bindjes që krijojnë liderët.Parimisht Rama duhej të këmbëngulte në daljen e një debati me Berishën, për të treguar se jo vetëm që ka program, por që është i gatshëm të debatojë me kundërshtarët e tij, duke dhënë kështu figurën e një shtetari, që duhet të japë garanci se ulet me të tjerët nëse është e nevojshme të debatohet. Aq më shumë kur është krijuar ideja e një humbësi duelesh, siç ka ndodhur në marrëveshjet apo duelet politike në këto vite, ku Rama ose ka pranuar se ka nxituar, si në rastin e Kushtetutës, ose është tërhequr në dëm të asaj që ka nisur, si në rastet e protestave apo bojkoteve.Ndërkaq, po t’i referohemi së shkuarës, në ndryshimin që ndodhi në vitin 2005, kur akuzat ishin edhe më të ashpra mes dy liderëve të asaj kohe, Berisha kërkoi me ngulm një debat me Nanon, debat ky që tregoi edhe tiparet e ndryshme në atë kohë mes qeverisjes dhe opozitës. Dhe në fakt, siç rezultoi më vonë, ai debat ndikoi në nxitjen e shumë qytetarëve për të votuar dhe dhanë atë rezultat që ndryshoi kahet politike në qeverisje.Nga ana tjetër, një çështje që vijon të mbajë të hapur më shumë kontestimin e zgjedhjeve se sa pranimin e tyre është këmbëngulja e opozitës për të mos rikthyer anëtarët e saj në KQZ. Duke lënë me katër anëtarë institucionin kryesor të votës, Rama duket se po kujdeset vetëm për një skenar: të pranojë rezultatin e 23 qershorit vetëm nëse fiton. Ky model aspak demokratik dhe në mungesë respekti për votën e qytetarëve, ka të bëjë me modelin e zgjedhur deri më tani edhe brenda PS-së, ku është zgjedhur versioni i tij pa pranuar as debat e as mendim ndryshe. Në të kundërt, mund të përfundosh si në rastin e Arben Malajt, të cilit nuk i mjaftuan as historia e tij në PS e as mbështetja e tij mes socialistëve që të ishte pjesë e ekipit që konkurron më 23 qershor.Por bojkoti i KQZ-së krijon edhe precedentin e pranimit të vetëm një versioni komunikimi me qytetarët, dhe të kundërshtimit apo të mosnjohjes së rezultatit që nuk është në favor të tij. Një nisje shumë e keqe për një njeri që thotë se do të jetë ndryshe nga konkurrenti i tij. E në këtë moment shumë qytetarë mund të pyesin: Çfarë mund të japë ndryshe një udhëheqës nëse nuk pranon të dialogojë?Ndaj, cilido qoftë çmimi, Rama duhet të këmbëngulë në një debat me shefin e Ekzekutivit për t’ua thënë shqiptarëve në prani të tij atë që ai premton ta bëjë ndryshe. Ai e bëri një gabim më 2009-n kur shmangu debatet, dhe nuk mundi të bindë shqiptarët. Ndërkaq, në këto ditë përpara zgjedhjeve do të ishte një veprim prej shtetari nëse do të ndërmerrte hapin e plotësimit të vendeve bosh në KQZ, duke dhënë garancinë e një procesi që do të nxjerrë një rezultat në përputhje me vullnetin e shqiptarëve dhe se, sido që të jetë vullneti i shqiptarëve, ai do të respektohet nga liderët politikë në vend, meqenëse edhe të gjithë në këtë fushatë betohen për mirëqeverisjen, një hap që nis nga respekti për votën e bashkëqytetarëve. E këtë premtim, të pranimit të çdo rezultati, ai mund t’ia rrëmbejë përballë edhe kundërshtarit të tij, nëse do të dialogojë.Burimi : panorama.com.al