Rama: Durrsakët do ta bëjnë mirë punën në 23 qershor, Saliun e ka braktisur dhe bota
Durrsakët kanë ditur të bëjnë mirë punën e tyre dhe këtë do ta dëshmojnë më së miri në 23 qershor. Kështu deklaroi kryetari i PS, Edi Rama, në mitingin përmbyllës elektoral në qytetin e Durrësit, ku ftoi qytetarët të mos votojnë si anëtarë partie, por si durrsakë.
“Ai dhe partia e tij familjare do të pësojnë disfatën e merituar për të gjitha zhgënjimet që i kanë shkaktuar Durrësit. Socialistë dhe demokratëve të zakonshëm, me 23 qershor mos votoni si anëtarë partie votoni si durrsakë, si pasardhës që padrejtësisht të tjerët thoshin se shihnin punën e tyre, por që durrsakët kanë ditur ta bëjnë mirë punën e tyre”- tha Rama.Rama lëshoi akuza në drejtim të Kryeministrit se mbajti peng shqiptarët për 8 vite me pushtetin e tij familjar. “Dikur na tregonte fotografi, filmime, po tani ku i ka, kush e takon, tha ai, duke shtuar se, tani jo vetëm që askush nuk e beson por askush nuk denjon më t’i japë dorën. Atë dorë, theksoi kryesocialisti, nuk e prek më bota, sepse është dora e një pushteti që mbajti peng shqiptarët për 8 vjet”.Sipas Ramës duart e kryeministrit Sali Berisha, janë të ndotura, nga drama, mëkatet, fajet dhe dështimet e këtyre 8 viteve qeverisje.“Në 2005 thoshte shikoni sa të pastra i kam duart, ma besoni mua Shqipërinë dhe unë do ta pastroj. Sot nuk i tregon duart, ku i ka duart, pse i fsheh duart, pse nuk i nxjerr. Në ato duar rrjedh gjaku i pafajshëm i viktimave të Gërdecit dhe dëshmorëve të 21 janarit. Në ato duar kullon zullumi i korrupsionit me pasuritë kombëtare dhe pronat e shqiptarëve. Në ato duar lulëzojnë gënjshtrat, për premtimet e pambajtura dhe për talljet e pafundme me këtë popull” përfundoi ai.Rama: Saliu mbjell farën e përçarjes jug-veri, i vetmi shpellar në vendLegalizimi i zonave informale dhe dasia jug-veri, kanë dominuar fjalimin e kreut të selisë rozë ndërsa përmbylli fushatën elektorale në qytetin më të ri të Shqipërisë, Kamëz. Duke ju drejtuar banorëve, Rama akuzoi Kryeministrin se prej një cerek shekulli po i mban të izoluar larg Tiranës, për t’i shfrytëzuar saherë ka fushata elektorale. Për të demostruar paaftësinë e qeverisjes aktuale, Ramës i ka ardhur në ndihmë një mbishkrim në një poster elektoral të PD-së, që më pas e pasoi edhe me batuda.“Po bëhet cerek shekulli që Saliu vazhdon t’ju mbajë peng, t’ju përdorë si mish për topat e fushatës së tij lektorale, t’ju trajtojë si një turmë që mund ta çojë ku të dojë, duke ardhur dhe mbjellë sa herë që vjen farën e përcarjes, duke i hedhur sa herë që vjen të gjithë zonave informale lumenjtë e mllefit ndaj opozitës. Ka cerek shekulli që ky burrë është bërë kalorësi i kësaj dasie, që përpiqet t’ju mbajë të ndarë nga pjesa tjetër, nga kryeqyteti, rruga e zhvillimit, se i duheni të varfër të papunë, të pazhvilluar në mënyrë që t’ju përdorë sa herë që ka fushata elektorale. Edhe sa kohë ma do vazhdoni ta dëgjoni? Edhe sa kohë ma do rrini pas katragjyshit, shikoni si janë këta, si e kanë shkruajtur fjalën integrim, integrem. Këta janë këta injorantë që mbajnë peng Shqipërinë, që i fryjnë zjarrit të dasisë. Integremi europian i tyre, shiheni. Sa herë që ka fushatë elektorale, dy tre muaj përpara këta të integremit fillojnë legalizimet, po ku janë, kemi vetëm ca Shaban tapi. Është koha për ta mbyllur një herë e mirë këtë plagë. Do angazhohem personalisht që brenda mandatit të parë të ketë përfunduar ky proçes. Për katë vite me radhe unë do jem këtu bashkë me ju, ne do bëjmë atë që katragjyshi se bëri dot në cerek shekulli” tha ai.Shefi i opozitës e ka shfrytëzuar këtë takim të fundit elektoral për zgjedhjet parlamentare, për të përgenjështruar akuzat e Kryeministrit, për unifikim të veriorëve me shpellarë. Ndërkaq ai ftoi banorët e Kamzës të thyejnë edhe drojën se me ardhjen në pushtet të PS mund të kthehen mbrapsh nga kanë ardhur, duke e cilësuar një tjetër spekulim të Berishës.
“Unë ja them këtu në shesh të burrave, nëqoftë se Saliu dhe gjithë arkiva e tij nxjerrin se unë kam përdorur termin shpellar për ju me figurë apo me zë, unë tërhiqem nga politika. Në Shqipëri ka vetëm një shpellar, Sali Berisha. Në Shqipëri ka pasur vetëm një Kryeminsitër që e ka kthyer qeverinë në “Ali Babën e 40 hajdutëve”, Sali Berisha.Thotë dhe dicka tjetër zëri i asaj shpellë, mos i jepni votën Edi Ramës se do tju përzërë nga keni ardhur, kjo do të thotë se ai ju merr për budallenj. Jo politika e tranzicionit, por dhe Enver Hoxha të ngjallej nuk ju kthen dot nga rruga juaj. Me numrin 29 ju do ti jepni vetes titullin e pronarit të shtëpisë suaj, projekti ynë nhuk është vetëm legalizim por edhe zhvillim urban dhe social dhe jo integrem por integrim. Shikoni sa ju don Saliu juve që edhe linjën e urbanit ua ka bërë vec, se edhe me atë bën pazare. Pas 23 qershorit Kamza dhe Tirana do jenë pjesë e të njëjtit rrjet transporti urban. Integremi është që Bathorja të ketë dy bileta, për ne jo” deklaroi Rama.
Për të rinjtë, lideri i socialistëve dha një porosi të veçantë:
“Thuajini babës nuk ka më votë me symbyllur se mbetëm pa ujë, pa shpresë, pa shtëpi dhe pa një biletë për të shkuar në Tiranë”.
Rama ironizoi edhe deklaratat e kryeministrit Berisha në takimet elektorale të PD, duke e paralizuar se ish-lideri e së majtës Fatos Nano.
“E keni dëgjuar që thotë unë jam Sali Berisha a thua kemi harruar. Si Fatos Nano...Unë jam Fatos Bano dhe prapa më vjen historia. Kështu janë këta flasin me vete kur i vjen fundit” u shpreh Rama.
E për të qenë i besueshëm para qyetarëve të Kamzës, Rama ka një referencë:
“Unë jam ai që bëri Tiranën dhe do ta bëj dhe Kamzën si Tiranën. Kush beson se Tirana është bërë si Kamza le të rrijë me Saliun dhe Xhelalin, kush do ta bëjë Kamzën si Tirana të votojë PS. Këtë radhë ka dhe një ndryshim të madh, pasi skuadra ka një kapion të sigurt që është një jug dhe veri, Pandeli Majo”.