PDIU në Patos, Idrizi: Të gjithë bashkë, nesër në Qafë Botë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar pasditen e sotme mitingun përmbyllës të fushatës në Qarkun e Fierit.Është zgjedhur pikërisht qyteti i Patosit, nga ku PDIU i ka bërë edhe njëherë thirrje qytetarëve të Fierit që të votojnë numrin 50. Në fjalën e tij, zoti Idrizi pasi ka vlerësuar kontributin e kandidatit për deputet të PDIU-së në Qarkun e Fierit, zotin Omar Mamo, i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që nesër, më datë 19 qershor të mblidhen të gjithë në Qafë Botë."Nesër të gjithë aty ku ndahet e drejta nga e gabuara, në Qafë Botë, në të dy anët ku flitet e gjallohet shqip. Aty ne do të respektojmë ashtu siç u takon, shqiptarët që dhanë jetën pa asnjë faj, martirët e Shqipërisë që tentuan për 70 vjet t'i linin në harresë. Ne do të mbyllim fushatën aty ku ka nisur tragjedia e Çamërisë martire në mënyrë që pas katër vitesh të festojmë brenda në Çamëri. Ora e shqiptarëve po vjen, ndaj ftoj çdokënd që ka gjak shqiptari të jetë nesër aty dhe më 23 qershor të votoj numrin 50" - mbylli fjalën e tij kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi.Nga ana e tij, kandidati i PDIU-së për Qarkun e Fierit, zoti Omar Mamo u ndal edhe njëherë të zemra e madhe e banorëve të Qarkut të Fierit, duke rikujtuar se ata hapën dyert e shtëpive dhe zemrat për shqiptarët e Çamërisë dhe për shqiptarët e Kosovës. Mamo i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që nesër të marshojnë bashkë në Qafë Botë, e ndërsa më datë 23 qershor të votojnë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.