Pamje/ Merr flakë kampi i të rinjve të PL-së në Jalë, shkak dyshohet një shkëndijë elektrike
Merr flakë një objekt në Jalë, dhe informacionet e para që sjell gazetari Edi Ruçi nga Vlora është se flaka ka përfshirë zonën e kampit veror ku çdo vit mblidhen të rinjtë e Partisë së Lirisë dhe organizojnë aktivitetin e Akademisë në Jalë.
Sipas informacionit paraprak nga Shërbimi zjarrfikës në Himarë, shkak dyshohet një shkëndijë elektrike.
"Si pasojë zjarri ka përfshirë të katër dhomat që shërbenin si hotel ,ndërsa janë shkrumbuar të gjitha pajisjet elektrike.
Efektivët zjarrfikës me dy mjete kanë mundur të lokalizojnë e më pas të shuajnë flakët.
Godina që shërbente si kuzhinë, bar, restorant dhe 4 dhoma hoteli ndodhet në Jalë, shumë pranë shëtitores së saj", thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, nuk raportohen njerëz të lënduar vetëm dëme të konsiderueshme materiale.
Të rinjtë kalojnë 5 ditë në këtë kamp, ku misioni kryesor është socializimi dhe zbulimi i elementëve që dëshirojnë të spikatin politikisht.
Gjatë gjithë ditës zhvillohen takime dhe trajnime të ndryshme me politikanë, diplomatë, gazetarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët ndajnë diskutimet e tyre dhe i përgjigjen pyetjeve të Anëtarëve të kësaj partie.
Në kamp të rinjtë ndajnë eksperiencën e të jetuarit në komunitet, ku çdo punë dhe shërbim gjatë qëndrimit në kamp kryhet nga vetë të rinjtë për të rritur tek ta sensin e përgjegjshmërisë.
Aktivitetet kulturore, artistike dhe sportive janë kryefjalë e këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm për çdo të ri në këtë Akademi, e cila mund të cilesohet si akademia e parë politike në Shqipëri, një traditë e huazuar nga forumet socialiste si IUSY dhe YES.


Lajmi në përditësim ...
