Mediu nën akuzë për “Gërdecin”, Qyno: Nuk janë bërë shumë hetime për këtë ngjarje
Më tepër se një vit pasi familja e njërit prej fëmijëve të vdekur nga tragjedia e Gërdecit kërkoi drejtësi, SPAK i ka njoftuar akuzën shpërdorim detyre ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Por mbi çfarë rrethanash të reja u rihap dosja e Gërdecit?
Gazetari Elton Qyno në një intervistë për Ora News tha se “Nuk ka rrethana të reja për këtë çështje”.
Sipas tij “Hetime për këtë ngjarje nuk është se janë bërë shumë” dhe se “Shumë shpejt çështja do të kalojë për gjykim dhe do të jetë Gjykata e Posaçme që në seancën paraprake do të vendosë që kjo çështje do të kalojë për gjykim në themel apo do të rikthehet sërish për rihetim”.
Elton Qyno: Nuk ka rrethana të reja për këtë çështje. Në atë periudhë Mediu nuk u gjykua në Gjykatën e lartë pasi kishte marrë një mandat deputeti ndaj nuk mund të vijonte gjykimi. Çështja nuk arriti të gjykohej por ngeli pezull në Prokurorinë e përgjithshme. SPAK e ka aktivizuar tashmë këtë çështjë. Hetime për këtë ngjarje nuk është se janë bërë shumë. Shumë shpejt çështja do të kalojë për gjykim dhe do të jetë Gjykata e Posaçme që në seancën paraprake do të vendosë që kjo çështje do të kalojë për gjykim në themel apo do të rikthehet sërish për rihetim siç e qartësojnë gjykatat.
Pas përballjes për rreth një orë me prokurorët, Fatmir Mediu e cilësoi akuzën të motivuar politikisht.
"Kam kërkuar që në fillim të pyetem, nuk jam pyetur 15 vjet për këtë çështje. Shpresoj të ketë mundësi që të pyetem për aktet që kam firmosur. Në diskutim që pata me prokurorin e çështjes tha se nuk ka asnjë element shtesë përveç atyre që kanë qenë të zhvilluara në atë kohë që për mua ka qenë terësisht e motivuar politikisht dhe asgjë më shumë sesa kaq".
Mediu vuri në dukje se caktimi i vendit të demontimit të municioneve është bërë nga ushtria dhe jo nga Ministri i Mbrojtjes.
"Ministri i Mbrojtjes nuk di ku janë vendet e Forcave të Armatosura, nuk ka asnjë dijeni për atë".
Ish-ministri theksoi se aktiviteti i Gërdecit është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave që është akt kolegjial.
Avokatët e ish-Ministrit e dërguan çështjen për interpretim deri në Gjykatën e Lartë, e cila i hapi rrugë trajtimit të dosjes nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

