"Ia nisi bora" në Kukës dhe në Shkodër, zonat malore me reshje të dendura

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga meterologët zonat malore në vendin tonë janë zbardhur nga dëbora. Në zonat mbi 900 metra mbi nivelin e detit, në Kukës dëbora shkon në disa centimetra, ndërsa në Theth dhe në Vermosh reshjet kanë qenë më të dendura. Aktualisht të gjitha akset në vend janë të kalueshme, ndërsa apelohet që shoferët të kenë me vete zinxhirë dhe goma dimërore për zonat malore.

Pas një periudhe të gjatë me temperatura dhe moti të thatë, jo të zakonta për stinën e dimrit, qarku i Kukësit është përfshirë nga reshje sporadike shiu në zonat e ulëta dhe në lartësinë mbi 900 m, reshje bore.

Në fshatin e Shishtavecit trashësia e dëborës shkon deri në 5 centimetër. Edhe malet e Kukësit janë mbuluar nga dëbora e parë, për vitin 2023.

Sipas Komisionit të Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës, rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht.

Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente.

Ndërkohë autoritetet apelojë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje bore dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, gjatë udhëtimit për në zonat e larta malore.

Ndërkohë në Theth edhe Vermosh reshjet e dëborës kanë qenë më të dendura. Këto pamje vijnë nga Thethi mëngjesin e së mërkurës.

Trashësia e dëborës ka shkuar në disa centimetra, ndërkohë rrugët mësohet se janë të kalueshme.