Nis rikualifikimi i Sheshit të Flamurit, banorët të lirojnë pronat në Vlorë, 15 milionë lekë për shpronësimet
Të gjithë pronarët e pronave në zonën e Sheshit të Flamurit në Vlorë duhet të bëhen gati të lirojnë objektet, pasi nga enjtja ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë për rikualifikimin e sheshit.
Më 27 dhjetor të vitit të kaluar Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi i Sheshit të Flamurit”, bashkia Vlorë.
Ndërsa të enjten vendimi u botua në Fletoren Zyrtare duke i hapur kështu rrugë shpronësimit dhe afati i përfundimit të këtij procesi është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Sipas këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen në vlerë të përgjithshme prej 15 004 074 lekësh, vlerë që do të përballohet nga bashkia Vlorë.
Bashkia Vlorë do të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Po ashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të bashkisë Vlorë.

VENDIMI I PLOTË I QEVERISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi i Sheshit të Flamurit”, Bashkia Vlorë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 15 004 074 (pesëmbëdhjetëmilionë e katër mijë e shtatëdhjetë e katër) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 15 004 074 (pesëmbëdhjetë milionë e katër mijë e shtatëdhjetë e katër) lekësh, përballohet nga Bashkia Vlorë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Vlorë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Vlorë.
8. Bashkia Vlorë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vlorë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Vlorë.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.


