Rama mbi 16 orë me ministrat dhe Ilir Beqajn tek Vila 30: Qëndruat heroikisht, vitin 2023 do ta bëjmë tërmet!

Përgjatë dy ditë të takimeve me ministrat në vilën 30 në qendër të kryeqytetit Edi Rama hodhi sfidën edhe për zgjedhjet e 14 majit.

Madje duke iu referuar axhendës së qeverisë, ai iu rikthye shprehjes së Damian Gjiknurit të përdorur në rreth 6 vitë me parë sa i përket rezultatit të votimeve

“Vitin 2023 do ta bëjmë tërmet” 

Këto janë fjalët me të cilat kryeministri Edi Rama e përmbylli mbledhjen maratonë me ministrat e kabinetit të tij qeveritar sot në mbrëmje (5 janar 2023) 

Sakaq ai falënderoi të gjithë ata që ishin pjesë e tryezës duke thënë se “qëndruat jo vetëm heroikisht por dhe në mënyrë shumë aktive konstruktive”.

“Sipas llogaris që bëj unë dje kemi filluar në orën 4 dhe e kemi mbaruar në orën 8 e 20 bëjnë 4 orë e 20. Sot kemi filluar në orën 9 e 7 dhe tani ora është 21 e 12. I bie në total 16 orë e 25 minutash. Ju falënderoj se qëndruat jo vetëm heroikisht por dhe në mënyrë shumë aktive konstruktive. Gëzuar dhe një herë vitin e ri 2023 qoft më i mbarë se 2022! Dhe mbi bazën e 2022-shit kemi arsye të besojmë që 2023-shin do ta bëjmë tërmet. (godet dorën në tavolinë) faleminderit shumë!”

Mbi 16 ore mbledhje, ministrat me biskota Rama me bajame e kajsi

Mbledhja siç thotë dhe Rama ka zgjatur mbi 16 orë. Ndryshe nga më parë në shkresat në tryezë kreu i qeverisë nuk paraqiti piktura, por shënime mbi çdo studim në mbledhjen e bërë në vilën 31 në Tiranë, për të cilat vendosi edhe ti bëjë publike në facebook. Veç ujit në tryezë ministrave u ishin afruar dhe biskota për të marrë energji ndërsa kryeministrit si në krye të vendit por dhe të tavolinës ishin servirur dhe fruta të thata, si bajame e kajsi e fruta pylli.   

Ne tryeze dhe Beqaj 

Ajo çfarë është e çuditshme është se në tryezën ku ishin vetëm ministrat ishte ulur Ilir Beqaj i cili nuk ka post ministror por drejton Agjencinë që merret me  menaxhimin e donacioneve të huaja. Prej janarit të 2022 Beqaj është në krye të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. 

Taksë energjisë, 3 stadiume të reja, të ardhura për nevojtarët 

Diskutimet e zhvilluara me kabinetin qeveritar, kryeministri i zbardhi në facebook. Tema më e fundit ka qenë ajo e ndërtimit të tregjeve ku pas Korçës, Bulqizës, Vaut të Dejës e  Belshit do ti shtohet dhe ai i Farkës

Ndërkohë gjatë ditës përmes postimeve në facebook informoi dhe për vendosjen e një takse të jashtëzakonshme mbi prodhuesit e mëdhenj të energjisë.

Përmes Facebook ai shprehet se të ardhurat do të shkojnë për të mbështetur pensionistët, por edhe kategoritë në nevojë. Një tjetër projekt i diskutuar është dhe ndërtimi i tri stadiumeve, në trekëndëshin Durrës- Vlorë –Korçë. Për këto projekte ai ka deklaruar se në pranverë do të hapet tenderi ndërkombëtar për studimin.

Teknologjia e informacionit por rendet me shpejtësi në mbarë botën, ndaj dhe përfshirja e gjuhës dixhitale qysh në klasën e parë është shndërruar në vendim.

Brenda dy vitesh shkruan kryeministri do të ketë 984 laboratore smart. Brenda janarit, sipas tij, starton programi i kodimit për tu dhënë mundësi të rinjve të futen në tregun global online.

Ndërsa paralelisht ka bërë bilancin për 12 muajt e vitit që lamë pas kryeministri flet për shifra rekord të eksporteve bujqësore, duke shënuar realizim të objektivit për gjymë milliard dollarë në 78 vende te botës.

Koridori blu, një pjesë e të cilit është dhënë tashmë me koncesion, Parku fotovoltaik, HEC Skavica, Tuneli i Llogarasë, Hekurudha Tiranë-Durrës, por edhe Aeroporti i Sarandës e ai i Vlorës janë bërë pjesë e diskutimeve në tryezën dy ditore të ministrave.