Krujë: Kanabis e kokainë në lokal, në pranga qiramarrësi dhe kamarieri

Dy persona janë arrestuar nga policia në Krujë pasi kishin përshtatur lokalin për përdorimin dhe tregtimin e kanabisit dhe kokainës.

Me finalizimin e operacionit "Përshtatja" u arrestuan: Fabjo Shullazi, 24 vjeç, pasi kishte marrë një lokal me qira dhe e kishte përshtatur atë, për përdorim të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis; Albano Baruni, 35 vjeç, kamarier i këtij lokali.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. S., 23 vjeç, i cili u kap në flagrancë duke konsumuar lëndë narkotike.

"Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në lokalin e marrë me qira nga 24-vjeçari dhe ku ishte kamarier shtetasi A. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 qese farmaceutike me lëndë narkotike kanabis, një peshore elektronike dhe një pjatë porcelani, me mbetje të lëndës narkotike kokainë," njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetasve F. Sh. dhe A. B., ndërsa në ngarkim të shtetasit D. S., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e  narkotikëve”.