Skandali me rrugën e Arbrit, 4 viktima në pak ditë, qytetarët: Firma veç ka marrë lekët e ka mashtruar popullin
Katër viktima që nga mbrëmja e 31 dhjetorit janë shënuar në Rrugën e Arbrit, 3 prej të cilëve nga e njëjta familje humbën jetën të mërkurën. Shoferët shprehen të shqetësuar për sigurinë në këtë segment, ndërsa thonë se atje ka mungesë të theksuar të sinjalistikës, dhe sigurisë rrugore.
Rruga e Arbrit e inauguruar me bujë të madhe nga qeveria, vijon të marrë jetë njerëzish. 3 persona të familjes Istrefi humbën jetën dhe 4 të tjrë u plagosën rëndë mbrëmjen e së mërkurës, 4 janar 2022.
Kujtim, Murat dhe Lulëzime Istrefi janë viktimat e aksidentit tragjik, ndërsa pamjet tregojnë se çfarë ka mbetur nga makina në të cilën po udhëtonin viktimat.
Për zbardhjen e dinamikës së aksidentit prokuroria e rrethit gjyqësorë Dibër ka thirrur Ekspertet nga Tirana të cilët po punojnë që nga dita e djeshme.
Nga akt ekspertimi deri më tani shkak dyshohet shpejtësia dhe ndërprerja e rrugës kanë ndikuar në këtë aksident fatal.
Siç mund të shihet edhe nga pamjet, në vendin e aksidentit nuk ka asnjë tabelë dhe sinjalistikë.
Segmente të tëra në Rrugën e Arbrit, janë pa ndriçim dhe pa sinjalistikën e duhur.
Shoferët ngrenë alarmin duke thënë se ky aks është kthyer në rrugën e vdekjes.
"Duhet mbyllur rruga patjetër. Nuk ka asnjë sinjalistikë. As mbikalim as nënkalim. Nuk ka as ndriçim. Firma veç ka marrë lekët e ka mashtruar popullin. Rruga është skandal komplet" thonë qytetarët.
Mbrëmjen e 31 dhjetorit 2022 në këtë mbikalim në rrugën e Arbrit në urën e Gjoricës humbi jetën një 24 vjeçar pasi mbrojtëset anësore nuk e mbajtën makinën që doli nga rruga.
"Nuk janë për të rrugët. Shumë skandal e kanë bërë rrugën. Po të kishte pasur dopio mbrojtëse nuk do të kishte ndodhur kjo që ndodhi" thonë qytetarët.
Ekspertë të rrugëve kanë ngritur disa herë shqetësimin për mungesën e sinjalistikës rrugore në një aks të rëndësishëm siç është rruga e Arbrit.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
