Grabitet e moshuara në Maliq: Nxorri thikën e më goditi me shkelma. Mori 10 mijë € kursime

Luljeta Hoxha, 76 vjeçare është grabitur mbrëmjen e datë 29 dhjetorit në fshatin Pirg të Maliqit. Ajo jetonte e vetme ndërsa hajdutët pasi e kanë dhunuar i kanë marrë një shumë të konsiderueshme prej 10 mijë eurosh që ajo I kishte kursyer nga pensioni dhe shitja e tokave.

Që pas vdekjes së bashkëshortit Luljeta Hoxha jetonte e vetme, në fshatin Pirg të Maliqit.

Prej vitesh ajo kishte kursyer lekët e pensionit dhe kishte shitur tokat me qëllim që të pagunte dikë që do ta mbante kur të bëhej e pamundur.

Por, mbrëmjen e 29 dhjetorit e moshuara pa tmerrin me sy, teksa në shtëpinë e saj hynë hajdutët.

"Unë isha e shtrirë. Erdhi një trup i gjatë dhe mu hodh sipër. Lekët tha se të vrava. Unë i thash që nuk kam lekë, vetëm pensionin," tha e moshuara.

Me lot në sy Luljeta Hoxha tregoi sesi ata e lidhën, dhe e dhunuan në kërkim të parave.

"Morën një leckë dhe më mbështollën gojën, më lidhi duart me litar e më goditën. Më mori zvarrë e më çoi te dhoma tjetër," tha ajo.

10 mijë eurot e kursimeve dhe të ardhurat nga shitja e tokës, asaj ja morën me dhunë.

"10 mijë euro mi mori. Në divan i kisha fshehur, aty ku flija. I gjeti vet ai. Ishin 2-3 veta," tha ajo.

Luljeta Hoxha që tanimë ka mbetur jo vetëm pa asnjë njeri që të kujdeset për të por edhe pa para, kërkon që të gjenden grabitësit që i ndërprenë shpresat që të paktën e vetme pleqërinë ta kalonte e qetë.

"Çfarë kërkoj sot?! Sikur ta gjej! Oh Zot, nuk shprehem dot. Dyshime nuk kam kush mund të ketë qenë," tha ajo.