“Babalja” në Apel, shtyhet gjyqi për deputetin Ervin Salianji
Shtyhet për të gjashtën herë në gjykatën e Apelit, seanca ndaj deputetit Ervin Saljani, i akuzuar për çështjen Babale.
Seanca për Ervin Salianjin është shtyrë për shkak të mungesës së trupit gjykues.
Njoftimi:
Sot në datë 19.12.2022, ora 13:00, në Gjykatën e Apelit Tiranë, është planifikuar për t’u gjykuar çështja penale me të pandehur Ervin Salianji, etj.
Për arsye të mosformimit të trupit gjykues, gjykimi i çështjes nuk do të mund të vijojë.
Kujtojmë se deputeti demokrat është shpallur fajtor për veprën penale ‘kallëzim i rremë’ në lidhje me çështjen “Babale” dhe u dënua me një vit burg nga gjykata e Shkallës së Parë, por këtë dënim ai dhe Partia Demokratike e konsiderojnë politik.
Apeli do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, apo do ta shpallë të pafajshëm apo do të japë një vendim alternativ.
Lidhur me këtë çështje kujtojmë se autori i audiopërgjimit Albert Veliu u dënua me 3.5 vite burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 100 orë shërbim prove.
