Rama këmbëngul për amnistinë: Do ta bëjmë me çdo kusht, ta kuptojë edhe BE-ja
Qeveria shqiptare nuk do të tërhiqet nga amnistia fiskale. Në mbledhjen e këshillit koordinues të diasporës kryeministri deklaroi se projektligji për të njohur si të ligjshme deri në 2 milionë euro do të miratohet, pavarësisht përplasjeve me ndërkombëtarët. Në fjalën e tij ai theksoi se tregun e punës në të zezë nuk e shpikën shqiptarët, por e gjetën aty dhe se është detyrë e qeverisë për ti mbrojtur. Sipas tij nuk mund të penalizohen 99 për qind e emigrantëve që angazhohen në punë të ndershme, sepse një pakicë kanë zgjedhur të futen në botën e krimit
Pavarësisht se ka kundër të gjithë faktorin politik dhe ekonomik ndërkombëtar, kryeministri Edi Rama nuk heq dorë nga amnistimi i të gjitha parave të fituara nga shqiptarët në zezë që kapin shifrën e mbi 2 milionë eurove.
Kjo sepse sipas Ramës është e rëndësishme për të formalizuar të ardhurat e emigrantëve shqiptarë në botë.
"Është e papranueshme që në këtë lloj debati të përballemi me këdoqoftë që nuk e kupton se nuk mund të na paragjykojë si një vend që edhe pse e ka të drejtën e vet kushtetuese, edhe pse e ka të nevojshme ta bëjë, edhe pse sot kjo është një masë që mbështetet masivisht nga shqiptarët e vendit, nuk e paska të drejtën ta bëjë," tha Rama.
Në takimin vjetor me Këshillin Koordinues me diasporën Rama ka theksuar se do ta çojë deri në fund këtë nismë me ose pa mbështetjen e SHBA dhe BE.
"Ne do ta bëjmë amnistinë fiskale me cdo kusht. Edhe bashkësia ndërkombëtare dhe BE do ta kuptojë. Për sa kohë e bën Italia një herë në tre vite, skemi pse mos e bëjmë. Nuk kemi pse të privohemi se jemi të vegjël," tha ai.
Për kreun e qeverisë paragjykimet se shqiptarët emigrantë janë kriminelë mbeten një shqetësim që duhet kapërcyer, teksa e vërteta është ndryshe.
"Tregun e drogës, krimit, prostitucionit, e pastrimit të parave e të këqijave nuk e kanë krijuar shqiptarët por e kanë gjetur mes tyre dhe janë bërë pjesë e tij," tha ai.