Rama takim me diasporën: Shqiptarët nuk janë kriminelë, s'e shpikëm ne drogën e mafian
Kryeministri Edi Rama ishte sot në një takim të organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Diasporës.
Teksa fliste për emigrantët shqiptarë dhe nevojën e amnistisë fiskale, Rama deklaroi se pavarësisht se për shqiptarët është folur dhe etiketuar si kriminelë, ata nuk janë të tillë. Tregun e drogës e prostitucionit nuk e kanë shpikur shqiptarët, tha ai.
Edi Rama: Ne jemi vendi me sasinë më të madhe të parasë cash në Europë. Vështirësia më e madhe e emigrantëve shqiptarë është sjellja e parave në Shqipëri, për të blerë apo investuar në Shqipëri pa u vënë në shënjestrën e organeve ligjzbatuese apo pa u dyshuar se i përkasin ndonjë rrjeti apo territori të botës së krimit.
Përballë të gjithë argumentave ajo që vjen si kundërshti kolektive ndaj nesh për të bërë amnistinë fiskale, është se shqiptarët janë kriminelë e të përfshirë në krim. Ne kemi kontribuar masivisht për turpin tonë si politikë dhe media në Shqipëri për ta ngjizur këtë imazh skandaloz ndërkohë që e kundërta është e vërtetë.
Shqiptarët sot janë kontributorë të rëndësishëm në vendet ku jetojnë, në të gjhitha nivelet. Si të gjitha komunitetet ne, qytetarët e tyre, edhe shqiptarët kanë elementët e paligjshmërisë dhe të krimit ku nuk bëjnë dallim.
Mbi të gjitha s'duhet të harrohet asnjëherë se shqiptarët që i kanë hyrë rrugës së paligjshmërisë dhe krimit janë elementë shqetësues, por tregun e drogës, prostitucionit, pastrimit të parave e të kqijave nuk e kanë krijuar shqiptarët.
E kanë gjetur mes tyre dhe thjesht janë bërë pjesë e tij.
