"Amnistia fiskale", Opozita: Rama do që të blejë zgjedhjet e të pastrojë miliardat e grabitura
Lidhur me deklaratat e kreut të Qeverisë do të reagionte ashpër dhe opozita. Numri 2 i Partisë së Lirisë Petrit Vasili deklaroi se qëllimi i vërtetë që fshihet pas amnistisë është pastrimi i parave dhe blerja e zgjedhjeve nga Edi Rama.
Vendosmëria e Edi Ramës për t'i shkuar deri në fund amnistisë fiskale edhe pse ka gjithë botën kundër, për opozitën vjen për shkak se kreu i qeverisë është peng i krimit dhe korrupsionit.
Nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili thotë se qëllimi i vërtetë i amnistisë është pastrimi i parave të pista. Në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, Vasili denoncon se nëpërmjet kësaj nisme që shkon kundër çdo rekomandimi nga partnerët ndërkombëtarë, Edi Rama kërkon të blejë zgjedhjet e 14 majit të vitit të ardhshëm.
Ai thotë se kjo do të realizohet përmes Portit të Durrësit dhe kullat pa fund nëpër Tiranë, që janë tre këmbët e lavatriçes gjigande të pastrimit të parave së Edi Ramës dhe shpurës së tij kriminale.
"Por kur Këshilli i Europës, Parlamenti Europian, FMN, Banka Boterore, BE dhe SHBA janë kundër amnistisë fiskale në mënyrë shumë të qartë dhe të prerë, megafoni Rama thotë që do ta bëjmë amnistinë dhe s'pyesim për ndërkombëtarët. Rama dhe të tijtë e duan me pa derman aministinë vetëm e vetëm për miliardat e grabitura nga korrupsioni i tyre dhe për asnjë qëllim tjetër.
Pra është e qartë në dritën e diellit se Shqipëria vetëm ka parë një mijë e një të zeza nga pastrimi i parave dhe asgjë tjeter. Ndaj Edi Rama kërkon me këmbëngulje aministinë për pastrimin e miliarda euro të grabitura nga qeveria e tij sepse përmes tyre kërkon të blejë zgjedhjet dhe të shantazhojë kë të dojë," tha ai.
Deklaratat e tij kryeministri Rama i bëri gjatë tryezës vjetore me Këshilli Koordinues për Diasporën, ku nënvizoi rolin kyç që emigracioni ka në ekonominë e Shqipërisë.
Por për Partinë Demokratike, e vetmja gjë që kryeministri Rama ka bërë për diasporën është rritja e shpopullimit të Shqipërisë. Sekretari për Emigracionin dhe Diasporën, Indrit Hoxha vuri në dukje se Amnistia Fiskale nuk bëhet për shqiptarët e ndershëm.
Indrit Hoxha: Kur përmend remitancat e emigrantëve, Rama duhet të ulë kokën dhe të mos hyjë në xhepat e shqiptarëve, sepse ato remitanca vijnë nga puna e ndershme e tyre në botë, ndryshe nga vjedhja që i bën me firmë ai shqiptarëve. Shqiptarëve të emigracionit u ka bërë një ‘dhuratë’: atyre që punojnë me djersë e ndershmëri ASGJË, atyre që punojnë qindin në punë të pista AMNISTI FISKALE.
Ndërsa për deputeten e Partisë Demokratike Jorida Tabaku është një fatkeqësi për vendin që diaspora shqiptare është e treta më e madhja në botë.
Tabaku e sheh hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe be një mënyrë për të rikthyer emigrantët në tokën e tyre teksa kërkon që atyre t’u njihet sa më shpejt e drejta për të votuar, që siç thotë ajo, zëri i tyre të dëgjohet.
