Blenë dhe fshehën në Fushë-Krujë një Touareg të vjedhur në Elbasan, në pranga dy persona
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë blerë një automjet të vjedhur, dhe e kanë fshehur në një servis në Fushë-Krujë.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Paramendimi” u arrestuan M. K., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe R. K., 47 vjeç, banues në Durrës.
"Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi R. K. ka blerë një automjet të markës “Touareg” që dyshohet se është i vjedhur, i cili kishte të vendosura targa që rezultojnë të vjedhura në datën 14.09.2022, në Elbasan. Pasi e ka blerë automjetin, shtetasi R. K. e ka fshehur atë në servisin e tij, në Vorë, në banesën e një të afërmi të tij, në Rinas, dhe në banesën e shtetasit M. K., në Arrameras, Fushë Krujë," njoftoi policia.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. K., në Arrameras, Fushë Krujë, shërbimet e Policisë Elbasan kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin tip “Touareg”, bashkë me targat e vjedhura.
Vijon puna hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.