Ethet e garës, Arben Kraja poston foto krah 3 kandidatëve: SPAK do vijojë të përmbushë detyrimet

11 anëtarët e KLP-së mblidhen sot për të zgjedhur kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Tre kandidatët në garë janë Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Evdin Kondili. Këta dy të fundit, aktualisht janë zv/drejtues të SPAK-ut për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në seancën e sotme tre kandidatët kanë nga 30 minuta kohë për të shpalosur platfomën e tyre.

Më pas anëtarët e KLP-së do tu bëjnë pyetje kandidatëve dhe në fund të këtij procesi do të zhvillohet votimi.


Vetëm pak orë nga zgjedhja e kreut të ri të këtij institucioni, drejtuesi aktual i SPAK i uroi suksese kandidatëve për Drejtues.

“SPAK do të vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore me efektivitet dhe me të lartë” shkruan Arben Kraja ndërsa poston në twitter një foto ku ai është krah 3 kandidatëve.

Drejtuesit aktual të SPAK, Arben Kraja, i përfundon mandati në 18 dhjetor, ndërkohë që pas largimit nga kjo detyrë ai mbetet prokuror i SPAK deri në përmbushjen e mandatit 9 vjeçar.

Kandidati që merr më shumë vota do të drejtojë Prokurorinë e Posaçme për 3 vitet e ardhshme, ndërsa në rast balotazhi situata zhbllokohet nga vota e kryetarit.