Zoto pagoi hotelet e Ahmetajt, bosi i incineratorëve dha 3500 euro për hotelin në 2015
Dosja e koncesioneve të incineratorëve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit vazhdon të sjellë skandale dhe përfshirje të zyrtareve të lartë.
Ndërsa SPAK ka deklaruar se po heton edhe në katër ministri për mënyrën e dhënies së koncesioneve, gazetari Adriatik Doçi ka publikuar të tjera pagesa që kanë shkuar në favor të ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, prej Klodian Zotos, një prej pronarëve të kompanive që fituan të drejtën e landfillit dhe djegies së mbetjeve.
Sipas tij në 13 gusht të vitit 2015, Zoto ka paguar 3500 euro për qëndrimin në tre ditë të Arben Ahmetajt në hotelin "Beverli Hills" në Francë, duke shtuar se vendndodhja është edhe pranë një marine jahtesh.
Më tej një vit më pas në 11 tetor 2016 pagesa shkon për Erjola Hoxhën.
Faturat e reja të dala nga emaili i Klodian Zotos vijnë pas denoncimit të pak ditëve më parë në SPAK për shuma deri në 4,544 euro të shlyera me kartën e tij të kreditit të aksionerit të incineratorëve për Ahmetajn për hotele në Bukuresht, Vjenë dhe Milano.
Pavarësisht akuzave të ngritura nga media, prej SPAK ende nuk ka një deklarim për ish-zëvendëskryeministrin, edhe pse ai shfaqet në dokumentet për procedurat e miratimit të koncesioneve.
Madje në Komisionin Hetimor, Ahmetaj ka deklaruar se nuk e njihte, Klodian Zoton, i cili prej disa muajsh është nën kërkim.
"Nuk e kam as gjak, as lidhje familjare, as lidhje krushqie, as partner biznesi, as kemi qenë ndonjëherë në të njëjtën punë apo biznes. Kemi qenë në të njëjtin qytet, madje Zoton e kam të njohur në distancë, as nga afër jo."
Gjithësesi nga SPAK ende nuk ka përfunduar hetimi për Tiranën, si dhe është deklaruar se procedurat vazhdojnë edhe në katër ministri për të tre rastet.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

