Këshilli i BE-së: Duhet transparencë në politikëbërje, kujdes me ligjin e medies dhe amnistinë fiskale

Këshilli i BE-së ka publikuar draft konkluzionet për zgjerimin dhe procesi i stabilizimit dhe asociimit lidhur edhe me vendin tonë.

Kështu, Këshilli mirëpret zgjerimin me metodologjinë e re në katër vendet negociuese: Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Pas zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, Këshilli nënvizon që autoritetet shqiptare të vazhdojnë të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Këshilli rikujton se dialogu politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në vend mbet vendimtar për të avancuar më tej reformat.

Këshilli thekson nevojën për të garantuar transparencë në politikëbërje, gjithëpërfshirjen e konsultimit dhe komunikimin efektiv për procesin negociatave.

Këshilli i bën thirrje Shqipërisë që të përmbahet nga vendosja e çdo skeme apo mase si amnistia fiskale që mund të kompromentojë ose dëmtojë përafrimin me acquis dhe politikat e BE-së, duke përfshirë masat e BE-së që synojnë parandalimin e pastrimit të parave dhe evazionin fiskal.

Për më tepër, Këshilli vazhdon t'ia bëjë të qartë Shqipërisë që duhet të bëjë hapa të prekshëm për lirinë e shprehjes. Këshilli rithekson rëndësinë e sigurimit që çdo amendament në ligjet e medies janë në lidhje me rekomandimet e standardet e Komisionit dhe ato të Venecias.

Kur bëhet fjalë për migracionin, kuadri ligjor i Shqipërisë është kryesisht në përputhje me acquis të BE-së, por ka nevojë për përditësim.

“Numri i përgjithshëm i kërkesave të pabazuara për azil të paraqitura nga shqiptarët në BE u rritën ndjeshëm në vitin 2021. Kjo duhet të monitorohet nga afër dhe adresuar nga autoritetet shqiptare. Këshilli thekson nevojën që Shqipëria të përmbushë atë angazhimin për të harmonizuar politikën e vizave të BE-së.” – thuhet në draft raport.

Këshilli mirëpret angazhimin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe bashkëpunimin e saj si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.