Sunak në Parlament: Të gjithë shqiptarët e mbetur do riatdheson shpejt. Nisim fluturimet në Ruanda
Emigracioni është bërë temë e nxehtë në politikën e brendshme britanike. Vetë kryeminstri Sunak njoftoi këtë të martë se është arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare për të goditur këtë fenomen. Britanikët, ndër masat ligjore që do të ndërmarrin atje, do të dërgojnë edhe oficerët e tyre kufitarë në aeroportin e Rinasit.
Kryeministri britanik Rishi Sunak gjatë fjalës së tij para deputetëve thotë se ndryshimet në sistemin e azilkërkuesve do të çojë në refuzimin e shumicës së kërkesave për azil nga shqiptarët.
Sunak tha se pothuajse 1/3 e azilkërkuesve janë shqiptarë ndërkohë që Shqipëria është një vend i sigurtë.
Ai thotë se njerëzit do të mund të pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne vetëm nëse ka prova për këtë, jo vetëm një dyshim për këtë.
Ai dëshiroi të siguronte që të gjithë shqiptarët e mbetur do të largohen shpejt dhe se qeveria është e vendosur për të nisur fluturimet në Ruanda për të dërguar atje azilkërkuesit.
Gjithashtu prezantoi dhe planin me 5 pika për të parandaluar hyrjen në Angli përmes kanalit të La Manshit.
Sunak prezantoi dhe marrëveshjen e firmosur me Shqipërinë që parasheh vendosjen për herë të parë të oficerëve të Forcave Kufitare në aeroportin e Tiranës.
Do të nxirren udhëzime të reja, sipas të cilës Shqipëria do të konsiderohet vend i sigurtë.
Gjithashtu i është kërkuar Shqipërisë garanci zyrtare që të konfirmojnë se do të mbrojnë viktimat e vërteta dhe njerëzit në rrezik të ritrafikimit.
Një staf prej 400 specialistësh të rinj do të angazhohen për të përshpejtuar procedurat. Në muaj e ardhshëm mijëra shqiptarë do të kthehen në shtëpi.
Gjithashtu do të vijojnë fluturimet javore derisa të gjithë shqiptarët të jenë larguar.
Një pikë tjetër që u cek është edhe afati i shqyrtimit të kërkesave për azil. Shefi i ekzekutivit britanik tha se edhe në këtë pikë do të ketë ndryshime në ligj, që do të paraqiten vitin tjetër.
Emigrantët që mbërrijnë me varka të vogla nga kanali i La Mancheit është bërë një çështje kryesore politike për qeverinë konservatore. Debati politik i brendshëm e ka kthyer këtë në temë, ku emigrantët fajësohen se e bëjnë më të vështirë gjetjen e punës dhe shtrirjen e shërbimeve publike për qytetarët britanikë.
Më herët ka qenë ambasadori ynë Qirko që foli përpara një komisioni parlamentar britanik për këtë temë, ndërsa kërkoi që të ndalohet stereotipizimi i shqiptarëve, pasi shumica e tyre janë qytetarë dhe taksapagues të rregullt britanikë.

