Strasburgu gjobit Shqipërinë më 24 mijë €, shkelje në shkarkimin e prokurores Antoneta Sevdari
Gjykata e Strasburgut ka gjetur shkelje në procesin e vettingut ndaj ish-prokurores Antoneta Sevdari e cila u shkarkua nga detyra në vitin 2019 me vendim të KPA.
Sipas gjykatës europiane, vendimi për shkarkimin e ish prokurores së njësisë Task Force Antikorrupsion ka qenë jo proporcional dhe një proces i shoqëruar me shkelje.
Për këtë arsye, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur një gjobë totale ndaj Shqipërisë në vlerën e 24 600 eurove.
Përveç dëmshpërblimit për shkarkimin e padrejtë në vlerën e 13600 eurove, Sevdari ka fituar edhe 6 mijë euro për dëmin moral të shkaktuar nga procesi si dhe mbulimin e shpenzimeve të aplikimit në Strasburg në shumën 5 mijë euro.
Antoneta Sevdari u shkarkua nga një trupë gjykuese ku bënte pjesë si kryesues edhe Luan Daci në KPA.
Shkaku kryesor me të cilin kolegji e motivoi shkarkimin e prokurores, ishte mosnjohja e burimeve për të ardhurat e bashkëshortit.
Konkretisht si element penalizues u evidentua mos paraqitja e dokumenteve për pagim tatimesh për të ardhurat e bashkëshortit si emigrant në Greqi dhe puna në Arabinë Saudite.
Pas shkarkimit, prokurorja Sevdari dhe disa kolegë të saj denoncuan Luan Dacin në SPAK për falsifikim dokumentesh në dosjen e aplikimit për emërim në KPA, duke u bërë shkak për ndjekjen penale ndaj tij dhe dënimin që e largoi edhe nga detyra që mbante në administratën e vetingut.
Një tjetër anëtar i trupës gjykuese që shkarkoi Antoneta Sedvarin ishte Ardian Hajdari, i cili në janar të këtij viti është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.
