Zhupa: Raporti i FMN-së fakton korrupsionin e qeverisë shqiptare
Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar sa i përket abuzimit me fondet publike dhe mos transparencës me koncesionet, sipas Partisë Demokratike faktojnë edhe njëherë denoncimet e saj sa i përket korrupsionit të qeverisë Rama në abuzimin me tenderat për t’i përdorur ato për përfitime elektorale në zgjedhje.
Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar sa i takon alarmit të kuq që dha ky institucion për koncesionet PPP, kontratat e hartuara keq dhe pa monitorim.
Në një dalje për mediat nga selia blu, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa theksoi se qeveria ka dhënë aq shumë kontrata PPP korruptive, sa që nuk është e aftë t’i kontrollojë ato.
“Vjedhja shtetërore me PPP dhe koncesionet abuzive, pa tender dhe pa garë nuk është retorikë por fakt. E vërteta sado të duket e akuze për qeverinë, nuk është vetëm pjesë e denoncimeve të opozitës, por edhe raporteve ndërkombëtare. FMN e thote qartesisht se: Qeveria shqiptare ka dhënë aq shume kontrata PPP, të cilat nuk ka aftësi t’i kontrollojë. Vete Raporti i përvitshëm i koncesioneve pergatitur nga Ministria e Financave del se “situata ka dalë nga kontrolli” dhe për shumicën e kontratave nuk kishte asnjë informacion."
Mungesa e transparences nga ana e qeverisë sa i përket kontratave të prokurimit publik dhe shpenzimeve për rindërtimin, sipas deputetes demokrate bëhen me qëllimin për përfitime elektorale.
“Fondet edhe kontratat e tërmetit janë denoncuar nga PD dhe në përdorimin e tyre selektiv për fushatën elektorale të 2021 dhe për kostot e fryra në krahasim me ndërtimet që bën vete BE. Ekonomia shqiptare është në rrezik, me skemat PPP ku tashmë janë hapur e shtrirë në çdo fushë.”
Deputetja Ina Zhupa i bëri thirrje organeve të drejtësisë të reagojnë sa i përket skemave korruptive të PPPve, të cilat, sipas saj, nuk kanë kursyer as trashëgiminë kulturore Shqiptare.
