“Duam ujë!” Banorët e fshatit Kuç i Zi në Korçë në protestë

Banorët e fshatit Kuç të Zi në bashkinë e Korçës kanë protestuar paraditen e së martës për mungesën e ujit. Ata akuzuan bashkinë për keqmenaxhim të situatës, ndërsa thanë se jetesa është bërë e papërbashkueshme.

Uji në çezmat e tyre, shkon vetëm një orë në ditë.

Për këtë arsye banorët e fshatit Kuç të Zi në Korçë, protestuan.

Janë 900 banorë të fshatit, të cilët kanë treguar se vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

 “Nuk është mjaftueshëm për një banor në fshat, sepse 5 % mund të jetë uji për të pirë dhe 95 % shërben për nevoja të tjera. Kemi bagëti, kemi shtëpi private dhe uji është i nevojshëm.

Sot po protestojmë se nuk kemi ujë, një javë ishim pa ujë fare. Shkova për të mbushur diku larg .Ne kemi gjithë kohën pa ujë, nga momenti që e ka marrë Bashkia, ne nuk kemi ujë,” thanë ata. 

Ata thonë se janë taksapagues të rregullt. Të indinjuar ata thonë se Bashkia i ka lënë pas dore.

 “Që nga momenti që e ka marrë Bashkia, nuk janë zënë njëherë burimet me dorë. Ka arritur uji sa njëçerek ore uji në ditë.

Uji mos më keq. Nga moment që e ka marr Bashkia, më përpara kishim. Na thanë do t'ju plotësojmë 24 orë me ujë.

24 orë uji, nuk ka, ta harrojmë atë ëndërr, i paguaj të gjitha, i kemi për detyrë. Po kur s'kemi ujë për të larë fytyrën, ç’na mbetet tjetër?" thanë banorët.

Sipas tyre, zgjidhja mbetet që menaxhimi i ujit të bëhet sërish nga vetë banorët dhe jo nga ujësjellësi.

 “Ti marrim, ti vetëmenaxhojmë, siç i kemi vetëmenaxhuar.”

Fshati Kuç i Zi ndodhet vetëm 10 km larg qytetit të Korçës, ndërsa mungesa e vëmendjes duket jo vetëm gjatë verës, por edhe në stinën e ftohtë të dimrit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.