Deputetë të PD e PS në Bruksel, Tabaku: Integrimi evropian e vetmja mënyrë për ta transformuar vendin

Nga Brukseli Jorida Tabaku deputete e PD në një intervistë përmes Skype në Ora News me gazetarin Sebastian Zonja foli rreth kësaj vizite.

Cila është vizita e arsyes tuaj së bashku me një grup tjetër deputetësh në Bruksel?

Jorida Tabaku: Është Komisioni i Përbashkët Parlamentar me Parlamentin Europian për zbatimin dhe monitorimin e MSA-së ku parlamentarët e të dy forcave politike takohen në Parlamentin Europian. Do të dalim me një draft të përbashkët rezolutë dhe me një deklaratë të përbashkët ku ngremë shqetësimet kryesore. Ne kemi theksuar çështjet që lidhen me zgjedhjet dhe kemi kërkuar që kjo të jetë një pikë e veçantë në rendin e ditës.  Krimin e organizuar e korrupsionin dhe element që lidhen me lirinë e medias dhe rolin që duhet të ketë opozita në procesin e integrimit.

Pse nuk bëhet dot bashkë klasa politike për agjendën evropiane por e përfshijmë në politikën e brendshme?

Jorida Tabaku: Unë jam një nga zërat që bëj më shumë opozitë në parlament, nëpër komisione, nuk lë asnjë hapsirë publike pa e shfrytëzuar për të bërë opozitë, por kur ulem në krye të Këshillit Kombëtar të integrimit unë vendos një kapele tjetër  dhe besoj se pavarësisht se jemi të ndarë në mendime dhe pse mendoj se po shkojë në një drejtim që nuk më pëlqen, sa i përket integrimit e kam përkrahur gjatë gjithë kohës. Ne nuk jemi dakord me atë që po ndodh në Shqipëri por ne duam procesin e integrimit si e vetmja mënyrë për ta transformuar vendin.

Presidenti gjerman në fjalën e tij nuk përmendi “Ballkanin e Hapur” por u ndal direkt te procesi i Berlinit.

Jorida Tabaku: Me presidentin gjerman si për luftën ndaj korrupsionit dhe sa i përket procesit të Berlinit gjejmë dakordësinë. Për këtë proces është punuar shumë dhe ka filluar të tregojë rezultatet konkrete. “Ballkani i Hapur nuk është gjithëpërfshirës, është përjashtues. Nuk është e drejtë për Shqipërinë ta ketë prioritet Ballkanin e Hapur.


Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.