PD nuk tërhiqet nga protesta e 6 dhjetorit, Berisha: Bulevardin nuk e lëshojmë
Partia Demokratike nuk tërhiqet nga organizimi i protestës së radhës më 6 dhjetor. Për këtë dy zyrtarët e selisë blu Ervin Minarolli dhe Çlirim Gjata kanë vënë në dijeni sërish krerët e policisë, të cilët i garantuan se manifestimi kundër qeverisë do të jetë paqësor. Në të njëjtën linjë u shpreh dhe kreu i PD Sali Berisha, i cili tha se protesta do të jetë madhështore.
Partia Demokratike nuk tërhiqet nga nisma e saj për të organizuar protestën e radhës më 6 dhjetor, pikërisht në ditën kur në Tiranë do të zbarkojnë krerët e vendeve të Bashkimit Europian në kuadër të samitit të nivelit të lartë me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me këtë çështje, dy përfaqësues të selisë blu, Ervin Minarolli dhe Çlirim Gjata i janë përgjigjur këtë të enjte një ftese të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë lidhur me mbajtjen e protestës së opozitës në datën 6 dhjetor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Minarolli: Argumenti i tyre është se zona ku ne duam të bëjmë protestën është pjesë e perimetrit të sigurisë të kërkuar nga partnerët, ndërkohë që ne i siguruam se kjo do të jetë një protestë paqësore, do të jetë dhe një protestë mikpritëse edhe për delegacionet që kanë ardhur. Ne do ta mbajmë protestën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”, atje ku e kemi kërkuar.
Të pyetur nëse u pranua kjo kërkesë nga policia, ata thanë se njoftimi është bërë.
Gjata: Nuk është çështja nëse bie apo jo dakord policia me këtë. E drejta e protestës e tubimit protestues është e drejtë kushtetuese. Ne jemi brenda ligjit. Pyesni ata që duan të shkelin kushtetutën e ligjin.
Pas kësaj deklarate lidhur me protestën e 6 dhjetorit reagoi edhe vetë kryetari I Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili tha se protesta do jetë madhështore
Berisha: Madhështore! Liderët europianë nuk janë si Edi Rama. Liderët europianë janë liderë të zgjedhur me votën e lire të qytetarëve të tyre, dhe ata e dinë se nga vota e lire buron shteti ligjor.
Në përfundim Berisha u shpreh se pas takimit të zyrtarëve të PD-së me drejtuesit e policisë, gjithçka është në dorë të protestuesve dhe të organizatorëve.
Berisha: Ato do të vendosin, por ne bulevardin nuk e lëshojmë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
