Ikja e të rinjve, Rama: E pamundur ti ndalim
Kryeministri Edi Rama e ka të pamundur më të mohojë eksodin masiv të të rinjve shqiptarë për një jetë më të mirë drejt vendeve të BE-së dhe Britanisë së Madhe. Përpara të rinjve në Kamëz, kreu i Qeverisë deklaroi se asnjë forcë politike nuk mund t’i mbajë me zor shqiptarët.
Qeveria shqiptare dorëzohet dhe pranon zyrtarisht ikjen masive të shqiptarëve, kryesisht të rinjve nga vendi i tyre drejt shteteve perëndimore.
Përballë të rinjve të Kamzës Kryeministri Edi Rama u mundua ta relativizonte fenomenin e shpopullimit ndërsa tha se emigrimi është një fenomen që ndodh gjithkund në botë.
Edi Rama: "Ky është një trend historik për ne. Asnjë lloj skuadër politike e ardhur dhe nga hëna në këtë vend, nuk do të kishte mundur dot që të mbyllte derën edhe që shqiptarët t’i mbante këtu që të gjithë. Sepse kjo nuk bën sens. Shqiptarët kanë migruar gjithmonë. Sigurisht që kur vendi është në këtë trend, ndodh një proces humbjeje i një pjese të rëndësishme të burimeve të veta cilësore njerëzore, por kjo nuk ka vetëm anën e keqe, kjo ka dhe anën e mire se po të mos ishin njerëzit që kanë emigruar Shqipëria nuk do kishte ardhur dot gjallë deri këtu, që të jemi të qartë."
Por Edi Rama edhe për situatën me emigrantët fajin e sheh sërish tek opozita, veçanërisht tek kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Edi Rama: "Për të nxjerrë kunjat e brendshme e bën copash Shqipërinë në gjuhë të huaj dhe flasin keq për Shqipërinë jashtë vendit. Politikanët që flasin keq për Shqipërinë jashtë vendit, politikanët që nuk e bëjnë krenar vendin kur rrinë me të huajt, kur flasin me të huajt, kur i drejtohen të huajve, politikanët që i tremben të vërtetave të kombit të tyre apo që nuk dinë sesi t’i tregojnë ato të vërteta në sy të të huajve, janë llum. Llum! Nuk i duhen jo vendit, po nuk i duhen as dreqit"
Edhe pse për qeverinë fenomeni i ikjes masive të të rinjve është diçka normale, vlen të theksohet se gjatë harkut kohor të viteve 2008-2020 janë larguar më shumë se 700 mijë qytetarë. Lidhur me shpopullimin e vendit, opozita ka thirrur dhe një protestë kombëtare pasditen e 12 nëntorit.