Gjurmohen Call Center-at mashtruese, policia spanjolle zbarkon në Shqipëri. Aksion në Vlorë dhe Elbasan
Një hetim për Call Centera me bazë në vendin tonë nga ku mashtrohen qytetarë kryesisht në Spanjë po finalizohet me një operacion policor të shtrirë në disa qytete. Agjentë të Policisë spanjolle kanë zbarkuar në vendin tonë për të ndjekur nga afër finalizimin e punës hetimore.
Agjentë të Policisë spanjolle kanë zbarkuar në vendin tonë me shenjestër Call Centerat nga ku besohet se janë mashtruar qytetarë të shtetit iberik.
Hetimet e autoriteteve spanjolle mësohet se i janë bërë të ditura SPAK që ka urdhëruar një operacion të gjerë në disa qytete të vendit këtë të martë.
Të shoqëruar nga Forcat Shqiponja të Policisë së Shtetit, agjentët spanjollë mësynë fillimisht një ambient që ka funksionuar si Call Center në një qendër tregtare në Elbasan.
Për disa orë me radhë ekzaminuan kompjuterat dhe pajisje të tjera të gjendura në ambientin që ishte braktisur para mbërritjes së forcave të policive spanjolle dhe shqiptare.

Operacioni u shtri edhe në Vlorë me kontrolle në një Call Center të dyshuar në lagjen "Pavarësia".
Disa persona, kryesisht vajza që u gjetën duke punuar aty u shoqëruan në komisariatin lokal për tu marrë në pyetje.
Ndërkohë ekspertët nisën kqyrjen e kompjuterave me dyshimin se kanë qenë në funksion të skemave të mashtrimit të qytetarëve spanjollë.
Agjencitë ligjzbatuese ende nuk kanë bërë të ditur objektivin dhe rezultatet e operacionit ndërkombëtar, por burime thonë se SPAK ka prerë urdhër arreste për disa persona shqiptare dhe të huaj, të dyshuar si të përfshirë në veprimtarinë e mashtrimit online përmes Call Centerave.
Mashtrimet online përmes Call Centerave me bazë në Shqipëri është një shqetësim që e kanë ngritur pranë SPAK disa vende anëtare të Bashkimit Europian, ndërsa vitet e fundit janë zhvilluar disa dhjetra operacione kundër kësaj veprimtarie.
